Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot një video me rrëfimin e inxhinieres Luljeta Bozo. Inxhinierja pranoi ftesën e kryeministrit për të kandiduar si deputete nën siglën e PS për zgjedhjet e 25 prillit. Në prezantimin e saj Bozo shprehet se gjënë më të shtrenjtë ka kohën.
“Gjënë më të shtrenjtë kam kohën se po të iku koha nuk rikuperohet. Në 1965 mbarova studimin në fakultetin e inxhinierisë, u diplomova dhe duke qenë se isha me rezultate të mira më mbajtën në universitet. Kam 56 vjet që punoj pa ndërprerje. Librin e parë e kam nxjerrë në 75 ‘. Deri më sot janë bërë gati 35 libra të botuar. Zgjohem shumë herët 4.30-5 dhe bëj ecje”, tha ajo.
Bozo thotë se pavarësisht moshës që ka se ambicia e saj është përmirësimi i gjendjes së pensionistëve që ata ta ndiejnë veten të dobishëm. Fusha e dytë prioritet sipas saj është ajo e kërkimit shkencor.
“Për moshën që kam them se kam akoma për të përmirësuar gjendjen e pensionistëve dhe për ti aktivizuar në disa probleme shoqërore ku do ta ndiejnë veten shumë mirë dhe shumë të dobishëm për shoqërinë. Fusha e dytë që kam prioritet është fusha e kërkimit shkencor kjo do të jetë e bashkangjitur me zhvillimin e arsimit të lartë se s’mund të zhvillohet arsimi pa kërkim shkencor”, tha Bozo.
Inxhinierja u ndal dhe te tërmeti dhe rolin që ka pasur në atë kohë të vështirë. “Një javë rresht kam qenë në të gjithë televizionet pa asnjë interes sepse unë nisem nga parimi i të mirës të mirën bëje hidhe në det se nuk të humbet. Njerëzit fituan një qetësi se më vinin mesazhe pafund”, shprehet inxhinierja.
Sipas saj reagimet që ka marrë pasi pranoi të kandidojë kanë qenë pozitive. “Takoj njerëz pafund si njoh fare më japin falënderime që pranova të kandidoj. Shprehin dëshirën se ne duam kështu njerëzish që të na përfaqësojnë”, tha Bozo. g.v/abcnews.al