Historitë me kompani të huaja që vijën nga jashtë dhe zhduken pa lënë asnjë gjurmë kemi dëgjuar plot. Ka ndodhur në Shqipëri dhe së fundmi e provuan edhe në Kosovë, ku viktima ishte klubi i Ferizajt që ka rënë në ligën e parë dhe tashmë është në një krizë të thellë rezultatesh dhe financiare.
Aq rënë është situata, saqë futbollistët kanë vendosur të futen në bojkot dhe të mos stërviten dhe të luajnë në kampionat. Veç faktit që nuk paguhen, ata duhet të durojnë edhe fyerjet e shumta. Mesazhi i ekipit është i qartë dhe u bëhet thirrja edhe ultrasve t’u bashkëngjiten.
“FC Ferizaj bojkoton stërvitjet dhe pritet edhe ndeshjet kampionale. Klubi ynë nga nesër ka vendosur të futet në bojkot, si shkak i gjendjes së rëndë financiare. Edhe përkundër që futbollistët kanë luajtur pa marrë asnjë pagë që disa muaj, dhe pa përkrahje nga askush prapë ata po janë objekt i fyerjeve dhe ofendimeve nga të gjithë.
Futbollistët kanë vendosur të hyjnë në bojkot, duke mos zhvilluar as stërvitjet por edhe as ndeshjet në ligën e parë. Ju bëjmë apel, tifogrupit Ujqit, dashamirëve të futbollit që nesër në ora 14;00 të jenë në stadion të solidarizohen me ne. Të gjithë së bashku ta shpëtojmë klubin e zemrës nga më e keqja, nga shuarja e klubit”. /abcnews.al