Kryeministri Edi Rama ka bërë thirrje mjekëve nga Kosova që për të marrë dozën e vaksinës anti Covid të shkojnë në Kukës, pasi kontrata e blerjes së vaksinës nuk lejon dhurimin e saj si donacion për Kosovë.
Një ditë më parë në Qendrën Rajonale të Telemjekësisë në Kukës ka filluar vaksinimi kundër koronavirusit me dozat e AstraZeneca, ku një ndër të vaksinuarit është dhe mjeku kosovar Blerim Feka.
Mjeku Feka kaloi kufirin për tu imunizuar kundër koronavirusit, i cili në një prononcim për mediat në Kosovë është shprehur se nuk ka hezituar aspak për ta bërë një veprim të tillë.
“Shumë lehtë dhe afër. Më pritën përzemërsisht dhe më bën vaksinën kundër Covid-19. Jam i lumtur. I ftoj të gjithë kolegët që të shfrytëzojnë mundësinë për tu vaksinuar kundër Covid-19”, ka thënë ai për Klan Kosovën. Ndërkohë në Shqipëri tashmë ka nisur fushata e imunizimit për mësuesit, ku vetëm në Kukës deri më tani janë vaksinuar 40 mësues.
Ata që morën vaksinën u siguruan nga përgjegjësit e vaksinimit se kjo dozë nga Skandinavia nuk ka efekt anësor trashjen e gjakut siç u raportua në disa vende europiane së fundmi./abcnews.al