Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, po përpiqet që të hedhë poshtë aktakuzën e ngritur ndaj tij dhe tre ish-udhëheqësve tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Së fundmi mësohet se mbrojtja e Thaçit ia ka dërguar një mocion gjykatësit Nicolas Guillou, për ta hedhur poshtë aktakuzën e konfirmuar, për shkak të mungesës së juridiksionit.
Në kërkesën e mbrojtjes së ish presidentit thuhet se akuzat e rreshtuara në aktakuzë s’kanë të bëjnë me pretendimet kundër Thaçit në Raportin e Këshillit të Evropës mbi “Trajtimin çnjerëzor të njerëzve dhe trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë”, përpiluar nga senatori Dick Marty.
Sipas parashtresës, Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka tejkaluar afatin e parashikuar ligjërisht për kryerjen e hetimeve penale sipas nenit 159 të Kodit të Procedurës Penal. Në parashtresë thuhet gjithashtu se mandati i përkohshëm i Gjykatës dhe Prokurorisë Speciale ka skaduar më 3 gusht. Sipas mbrojtjes, Gjykata Speciale nuk ka juridiksion sipas neneve 12 dhe 16 (1) të Ligjit të KSK për ta ndjekur penalisht Thaçin për krime të pretenduara të jenë kryer në kuadër të nnjë ndërmarrje të përbashkët kriminale.
Mbrojtja e Thaçit përmend edhe pretendimet në librin e ish-prokurores së Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës, Carla Del Ponte, raportin e Dick Martyt, deklaratat e Clint Ëilliamsonin si dhe hartimin e amandamentit kushtetues numër 24 dhe krijimin e Prokurorisë dhe Gjykatës Speciale.
“Pretendimi i Ëilliamson se hetimi i tij ishte një shkallë e plotë “hetim penal në të gjithë Kosovën” u pasqyrua në gjetjet e tij që shkuan përtej akuzave për trafik organesh dhe trajtimit çnjerëzor në qendrat e paraburgimit në Shqipëri që ishin në fokus të Raportit Marty”, thuhet në parashtresë.
Mbrojtja thotë se Kuvendi i Kosovës ishte i vetëdijshëm për fushën e gjetjeve të Ëilliamson kur hartoi amendamentin kushtetues nr. 24 për krijimin e Dhomave të Specializuara dhe ZPS-së.
“Në vend që të miratojë fushën e hetimit të Task Forcës Speciale Hetuese, Asambleja rivendosi në fushën juridiksionale të këtyre institucioneve të reja, duke lidhur qëllimin dhe ekzistencën e tyre në nenin 162 (1) me pajtueshmërinë me “detyrimet ndërkombëtare në lidhje me [Raportin e Marty]”. Debatet në Asamblenë Kombëtare mbi ndryshimin kushtetues konfirmojnë se qëllimi ishte të kufizohej juridiksioni i Dhomave të Specializuara në pretendimet në Raportin Marty dhe të kufizohej jeta e Dhomave të Specializuara në pesë vjet”, thuhet ndër të tjera në kërkesën e tyre.
Mbrojtja pretendon se aktakuza është përpiluar duke mos i përfillur kufizimet e vendosura nga Kushtetuta.
Si mbështetje për pretendimet e parashtruara, mbrojtja përmend edhe termin “ndërmarrje e përbashkët kriminale”. Sipas mbrojtjes, ndërmarrja e përbashkët kriminale nuk përfshihet në statutin e Gjykatës Speciale.
“Ndërsa bashkëkryerja është me të vërtetë një formë e përgjegjësisë së “komisionit”, ZPS nuk ka dhënë asnjë justifikim për mbështetjen e tij në ndërmarrjen e përbashkët kriminale në akuzimin e të akuzuarit”, thuhet në parashtresë./abcnews.al