Rusia e dyshuara kryesore për sulmin ndaj ambasadës amerikane në Kubë

schedule22:33 - 11 Shtator, 2018

schedule 22:33 - 11 Shtator, 2018

Autoritetet amerikane dyshojnë se pas sulmeve me valë sonike që sëmurën stafin diplomatik të ambasadave të Shteteve të Bashkuara në Kubë dhe Kinë qëndron Rusia. Ndonëse ende nuk ka prova solide për të akuzuar Moskën, rezultatet e hetimit pritet të kthehen në një shkop ndër rrota për presidentin Trump që po përpiqet të afrohet me Kremlinin.

Rusia është e dyshuara kryesore e agjencive amerikane të inteligjencës që po hetojnë sulmin misterioz që sëmuri personelin e ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kubë dhe Kinë. Lajmin e ka bërë të ditur të martën rrjeti informativ NBC News, sipas të cilit provat e siguruara nga kontrolli i telekomunikacionit të çojnë në drejtim të Moskës. Sipas burimeve të cituara nga NBC, të cilat kanë ruajtur anonimatin, çështja aktualisht po hetohet nga FBI, CIA dhe disa agjenci të tjera federale. Sidoqoftë, provat nuk janë vendimtare dhe nuk mjaftojnë që Shtetet e Bashkuara të fajësojnë zyrtarisht Rusinë. E pyetur nga NBC, FBI ka refuzuar të bëjë një koment dhe burimet anonime kanë paralajmëruar se as institucionet e tjera nuk do ta bëjnë një gjë të tillë.

Korrikun e kaluar autoritetet amerikane deklaruan se po vazhdonin hetimet mbi problemet shëndetësore që u ishte shkaktuar 26 punonjësve të ambasadës amerikane në Havana. Të martën zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Hedhër Nojert deklaroi për “Reuters” se administrata amerikane nuk e ka identifikuar ende përgjegjësin e sulmit, që dyshohet të jetë kryer përmes valëve sonike. Punonjësit e prekur shfaqën simptoma të humbjes së dëgjimit, marrje mendsh, dhimbje koke dhe lodhje, që sipas mjekëve përputhen me sindromën e “dëmtimit të butë të trurit”. Qershorin e kaluar, Departamenti i Shtetit ktheu në Uashington një grup diplomatësh të dërguar në Guangzhou të Kinës, nga frika se po vuanin nga të njëjta simpatoma, që sugjeronin dëmtime në tru./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!