Ndreu: Shitja e Devid dhe mbijetesa Europa jonë, sfidë e vështirë me Teutën

schedule19:14 - 12 Mars, 2021

schedule 19:14 - 12 Mars, 2021

Kastrioti u mposht javën e shkuar nga Tirana dhe tani ka në program një transfertë të vështirë kundër Teutës që do titullin kampion. Trajneri i krutanëve, Ramazan Ndreu, ka folur për mediat dhe vlerëson ecurinë e skuadrës së tij dhe pranon që në Durrës i pret një ndeshje shumë e fortë. I ngacmuar në lidhje me objektivin, ai është i sinqertë kur thotë se mbijetesa është ajo që duan.

“Futbolli kështu është, ka fitore, humbje, barazime. Në përgjithësi kemi bërë ndeshje të mira, kam besim se edhe në Durrës, pavarësisht se kemi përpara një skuadër shumë të mirë, do paraqitemi mirë. Kemi djem të uritur, janë të etur për të vrapuar, kanë ego dhe dëshirë, ndaj këto më bëjnë optimistë dhe shkojmë në Durrës për të luajtur futboll. Do japim maksimumin dhe nëse jemi në ditë të mirë minimumi nuk dalim pa pikë”, thotë fillimisht Ndreu.

Më pas ai shton: “Optimist më bëjnë lojërat e mira që kemi zhvilluar. Ndeshja merr rëndësi të veçantë, pasi edhe Teuta ka zhvilluar ndeshje të mira, ndaj shoh një përballje të fortë dhe të vështirë. Ne kemi treguar se jemi skuadër që luan futboll të bukur brenda dhe jashtë fushe. Madje më mirë luajmë jashtë, aq më tepër që në Durrës fusha është e mirë. Kështu që jemi optimistë”.

 

“Objektivi? Që në fillim e kemi deklaruar dhe objektivi është qëndrimi në Superiore. Me këtë objektiv e kemi përgatitur skuadrën. Nëse do tentosh Europën duhet investim më tepër, të punosh ndryshe nga fillimi në anën psikologjike. Duhet kujdes me skuadrat që vijnë nga poshtë. Të gjitha prodhuan surpriza javën që kaloi.

Devid kërkohet edhe nga jashtë, Devid, por ka edhe të tjerë që nuk po ua them emrat. Shpresoj që të vazhdojë me lojërat e mira, të jetë afër portës dhe të rrisë numrin e golave. Nëse qëndrojmë në Superiore dhe shesim këtë lojtar, do jemi shumë të kënaqur”, ka përfunduar trajneri i Kastriotit, Ramazan Ndreu. /abcnews.al