Thomas Strakosha e ka humbur postin e titullarit te Lazio. Vetëm 8 ndeshje këtë sezon me bardhekaltrit janë shumë pak (nga të cilat ka pësuar 14 gola dhe e ka mbajtur njëherë portën e paprekur) dhe “gardiani” i kombëtares kuqezi ka vendosur të nisë një aventurë të re sezonin e ardhshëm.
Dëshira e tij e madhe është kalimi te Borussia Dortmund, por 25-vjeçari mund të përfundojë në Premier League. cittaceleste.it raporton se portieri shqiptar është një objektiv i West Ham, klub që e tentoi edhe në merkaton e janarit.
“Çekiçët” po zhvillojnë një sezon shumë të mirë nën drejtimin e David Moyes dhe renditen në vend të pestë, me dy pika larg zonës Champions League. Anglezët e pëlqejnë shumë Strakoshën, të cilit i vlerësojnë reflekset e shkëlqyera.
Por jo vetëm, West Ham vlerëson lojën me këmbë të shqiptarit dhe nisjen e shpejtë të aksioneve. “Është një portier i pjekur dhe ka autoritet“, shkruan mediat angleze. Titullar i West Ham është polaku Fabianski, i cili feston 36-vjetorin në prill.
Strakosha është 11 vite më i ri dhe shihet si një investim shumë i mirë, që jep garanci për shumë vite. West Ham, që synon të luajë në kompeticionet evropiane sezonin e ardhshëm, do të përgatisë një ofertë në fund të sezonit për Lazion.
Kontrata me klubin italian i përfundon në vitin 2022, rinovimi nuk po vjen dhe bardhekaltrit do detyrohen ta shesin Strakoshën në merkaton e verës. West Ham, i famshëm për tifozerinë e zjarrtë, mbetet një opsion tundues për lojtarin kuqezi. /abcnews.al