Kategoria Superiore luajt dje tre ndeshje të javës së 23-të dhe kishte surpriza të mëdha dhe fitore, që hapin kampionatin, që mund ta themi lirisht se është një nga më të fortët e dekadës së fundit.
Tirana fitoi dhe u afrua me skuadrat e kreut, duke përfituar nga ndalesat e Teutës dhe Partizanit, ndërkohë sot luhen edhe dy ndeshje të tjera, që marrin rëndësi të madhe, duke parë rezultatet e djeshëm.
Në Laç, vendasit kanë mundësinë e artë të marrin të paktën vendin e dytë në renditje. Skuadra e Shpëtim Duros luan ndaj Apolonisë në orën 13:00 dhe tre pikët janë detyrim.
Apolonia nga ana e saj vjen pas një barazimi me Partizanin, ku tregoi qartë se nuk hyn e mundur në fushë. Ndeshja tjetër është zjarr. Në orën 16:00 në “Loro Boriçi” Vllaznia sfidon Kukësin në atë, që mund ta quajmë ndeshjen më të fortë të javës.
Kukësit i duhet patjetër fitorja për të qëndruar në valle për Europën, ndërsa Vllaznia nga ana tjetër vjen pas një krize rezultatesh dhe humbja e sotme mund t’i kushtojë kreun e renditjes dhe rënien totale nga ana psikologjike. /abcnews.al