Projekti për ndihmën ekonomike drejt ristrukturimit, kërkohet shtyrje deri në dhjetor 2022

schedule07:27 - 2 Mars, 2021

schedule 07:27 - 2 Mars, 2021

Qeveria shqiptare ka kërkuar që projekti për modernizimin e asistencës sociale që po mbështetet nga Banka Botërore të zgjatet me një afat 18 mujor dhe të mbyllet përfundimisht në dhjetor të vitit 2022.

Në një kërkesë për ristrukturim të projektit që sipas dokumenteve origjinale duhet të mbyllej në mes të këtij viti qeveria jep edhe argumentet e saj duke vënë të parën pandeminë e COVID-19 që ka vështirësuar proceset e nevojshme në terren.

Në dokumente thuhet se deri vonë vlerësimet për ecurinë e projektit kishin qenë të kënaqshme por problematikat e para u ndjenë me tërmetin e nëntorit të vitit 20019 dhe më pas me pandeminë.

“Pandemia COVID-19 ndikoi negativisht në përparimin e projektit : (i) Bllokimet në të gjithë vendin të imponuara nga Qeveria e Shqipërisë (Qeveria e Shqipërisë) për të parandaluar përhapjen e COVID-19 rezultoi në kufizime fizike dhe sociale (veçanërisht për personat me aftësi të kufizuara) që çoi në vonesa në zbatimin e projektit, (ii) Qeveria Shqiptare përjetoi kufizime buxhetore domethënëse për shkak të tërmetit në nëntor 2019 dhe pandemisë Covid-19, e cila rezultoi në një nën alokim të fondeve në linjat buxhetore që do të kontribuonin në arritjen e treguesve; dhe (iii) Qeveria ngriti shqetësimet në lidhje me rreziqet e reputacionit që lidhen me nxitjen e reformave institucionale komplekse në një mjedis kaq të paqëndrueshëm” thuhet në dokument.

Projekti për modernizimin e asistencës sociale nisi për herë të parë në vitin 2012 deri në vitin 2018 me një fond 43.989 milionë dollar. Më pas projekti u zgjat edhe me një fazë të dytë që nisi nga tetori 2018 deri në 30 qershor 2021. Të padisburuara aktualisht mbeten 8.23 milionë dollar ndërkohë që në këtë fazë të dytë fondi origjinal ishte 11 milionë dollar.

Projekti në këtë fazë të dytë ishte i përqendruar tek kriteret e disbursimit për ndihmën ndaj personave me paaftësi, bazuar në modelin social, të tre rajoneve që përfaqësojnë gjysmën e popullatës së vendit (Elbasani, Durrësi, Tirana), përmirësimin e aksesit të personave me aftësi të kufizuar në shërbimet sociale shtetërore në qendrat rajonale ku vendosen kriteret e përfitimit, promovimi i përfshirjes sociale të ndihmës ekonomike në periudhën që del nga program dhe përmirësimi i kontrollit dhe mbikëqyrës së ndihmës për aftësi të kufizuar./Monitor