Ilion Lika, veterani i portës, ka folur sot para mediave për klasiken e Shqipërisë, Vllaznia-Tirana. Portieri i njohur, i cili këtë sezon nuk ka luajtur, analizon ecurinë e bardhebluve dhe shpreson që të mundin shkodranët dhe të vijojnë garën për të arritur objektivat e klubit. Sigurisht një mision i vështirë për kampionët në fuqi, por një triumf nesër në “Loro Boriçi” do e ndryshonte situatën në kampin bardheblu.
– Një klasike që ndodh në momentin e duhur?
–Varet nga këndvështrimi. Janë dy ekipe që kanë bërë historinë e futbollit Shqiptar, kanë dhuruar spektakël. Pavarësisht problemeve që kanë, si Tirana dhe Vllaznia, kur janë përballur kanë kënaqur të gjithë ata që i kanë ndjekur.
Megjithatë ne duhet të vazhdojmë të shohim përpara, pasi jemi mbrapa me objektivat tona. Kjo që po kalojmë tani nuk është ajo që na takon. Për bluzën që kemi veshur duhet gjithmonë të fitojmë. Kjo ndeshje do të ishte një hap cilësor për ne. Ky kampionat i tillë është, me 2-3 fitore ngjitesh shumë lart.
-E prisje në këtë renditje skuadrën?
Të them të drejtën jo vetëm unë, por edhe më skeptiku nuk e priste që të ishim në këtë pozicion. Por ky është futbolli. Unë si Ilion, por pa lënë jashtë edhe përgjegjësinë e skuadrës, si edhe stafit, do të donim ta shihnim ekipin pa mungesa, pa probleme, ashtu siç u formua në fillim.
-Shehit ia theve rekordin…
-Nuk ka rëndësi fare kjo, rëndësi ka që unë karrierën time si futbollist e kam bërë dhe jam i kënaqur. Mua më intereson që ekipi të eci, që Tirana të mos jetë në situatë të vështirë. Më intereson që çunat të luajnë sa më mirë dhe që Visari të jetë sa më në formë në portë.
-Objektivi i vërtetë i Tiranës në këtë sezon?
-Jemi mbrapa me pikë është e vërtetë. Nuk mund të them që nuk pretendojmë për kampion, pasi matematika flet vetë. Kupat e Europës janë aty. E rëndësishme është të fitojmë këtë ndeshje. Të fitojmë besimin. Djemtë duhet të rrisin moralin, pasi natyrisht rezultatet kanë ndikuar. Megjithatë, kemi përpara një ndeshje të vështirë dhe jo të paarritshme. /abcnews.al