Kryeministri armen Nikol Pashinyan paralajmëroi sot për një “grusht shteti”, pasi forcat e armatosura të vendit kërkuan dorëheqjen e tij dhe të kabinetit.
Pas kësaj raporton BBC Pashinyan u pa duke marshuar me mbështetësit në rrugët e Jerevanit, raporton abcneës.al. Një formë për të treguar se ka mbështetje në popull.
Ushtria tha më herët se kryeministri nuk ishte “në gjendje të merrte vendime të arsyeshme” pasi ai shkarkoi një komandant të lartë ushtarak.
Pashinyan është përballur me protesta masive pasi humbi konfliktin e vitit të kaluar me Azerbajxhanin për Nagorno-Karabakh.
Karabaku është një enklavë e njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit por që ishte kontrolluar nga armenët etnikë që nga një armëpushim i vitit 1994.
Gjatë gjashtë javëve të përgjakshme të luftimeve në fund të vitit të kaluar, Azerbajxhani jo vetëm rimori zonat përreth enklavës por gjithashtu mori qytetin kryesor të Shushas brenda tij.
Sipas marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Rusia, e cila u shfaq pak më vonë, Azerbajxhani mban zonat që ka kapur. Qindra paqeruajtës rusë janë vendosur në zonën e diskutueshme.
Çfarë tha Pashinyan?
Në një postim me video në Facebook, Pashinyan tha se ai e konsideron deklaratën e ushtrisë një “grusht shteti ushtarak”.
Ai i nxiti mbështetësit e tij të mblidheshin në Sheshin e Republikës në zemër të Jerevanit dhe u pa pak më vonë duke ecur me një altoparlant të rrethuar nga qindra mbështetës në rrugët e qytetit.
Pashinyan gjithashtu tha se së shpejti do t’i drejtohet kombit.
Kryeministri – i cili ka mbijetuar kohët e fundit disa përpjekjeve në parlament për ta shkarkuar atë – gjithashtu tha se ai kishte shkarkuar Onik Gasparyan, Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të forcave të armatosura.
Çfarë tha ushtria?
Ushtria lëshoi deklaratën e saj pasi Pashinyan kishte shkarkuar fillimisht Tiran Khacharyan, zëvendësin e parë të Gasparyan.
Kjo ndodhi pasi Khacharyan ishte tallur me pretendimet e Pashinyan se raketat Iskander të furnizuara nga Rusia nuk kishin arritur të godisnin shënjestra gjatë luftimeve në Karabakh.
Rusia ka një aleancë ushtarake me Armeninë dhe ka një bazë ushtrie në vend, por ajo nuk ndërhyri gjatë konfliktit. Ajo gjithashtu ka lidhje të ngushta me Azerbajxhanin dhe i ka shitur armë të dy vendeve.
Azerbajxhani u mbështet hapur nga Turqia gjatë luftimeve.
Në deklaratën e saj, ushtria tha “kryeministri dhe qeveria nuk janë më në gjendje të marrin vendime të arsyeshme”, sipas agjencisë së lajmeve Armenpress. /abcnews.al