Alban Hoxha preku disa tema në prononcimin e dhënë për Supersport pas fitores 1-2 ndaj Kukësit. Kapiteni i Partizanit flet rreth gjestit “fair-play”, triumfit ndaj verilindorëve, garës për titull, sfidës së ardhshme me Laçin, teksa zbulon edhe sekretin e “Demave” të Dajës.
“Unë nuk e vura re çfarë ndodhi në fund, e pashë tani mbrapa. Mendoj se bëmë gjënë e duhur. Folëm të gjithë bashkë dhe menduam të bënim një ‘fair-play’. Për mua është gjë e mirë që ka ‘fair-play’, duhet të ketë në të gjithë ndeshjet e tjera.
Nuk e menduam kaq gjatë këtë pjesë. Fati jonë që rezultati do të ishte 2-0 dhe menduam ta linim në atë mënyrë. Ka ndodhur në shumë ndeshje të botës. Murataj është shumë i ri, do të rritet akoma.
E kishim vlerësuar shumë ndeshjen e sotme, pasi Kukësi është rivali i drejtpërdrejtë i jonë. Iu shkëputëm, përveçse e ndaluam. Gjë e mirë ishte dhe ndalja e Vllaznisë, kjo na jep besim për të vazhduar përpara.
Gara për titull? Unë e kam thënë më përpara, janë disa skuadra që janë të vështira për t’u mundur. Kam futur Laçin, që ka treguar që është skuadër shumë e fortë, por është edhe Kukësi, Teuta dhe Vllaznia, ekipe të vështira për t’u mundur dhe që të hapin gjithmonë probleme.
Laçi? Duhet parë ndeshja e radhës. Është ndeshje e vështirë me Laçin. Duhet të gabojmë sa më pak.
Padiskutim, që do të ketë edhe të pakënaqur, ndodh edhe në familje. Kemi grup të mirë, kompakt dhe ka goxha harmoni. Rrimë gjithë kohën bashkë. Kjo besoj se është çelësi i suksesit tonë“, deklaroi kapiteni i Partizanit. /abcnews.al