Valon Ethemi është një nga shqiptarët e shumtë, që gjatë merkatove të fundit ka zgjedhur transferimin në Turqi. Ai është bashkuar me Istanbulspor, ku luan edhe Eduart Rroca dhe Kristal Abazaj.
Së fundmi 23-vjeçari ka folur për Supersport dhe ka treguar rreth eksperiencës së re në Turqi, problemeve me Kukësin dhe ëndrrës për kalimin në Kombëtaren kuqezi.
SJELLJA – Rroca ka thënë se jam më i urti nga 3 shqiptarët te Istanbulspor? Nëse çunat mendojnë ashtu, është e vërtetë.
6 MUAJ JASHTË – Një futbollist të qëndrojnë 6 muaj pa ndeshje është e vështirë. E kam vuajtur por duke i pasur afër njerëzit e dashur, ma bënë më të lehtë. Më kanë ndihmuar dhe falë Zotit jemi këtu tani.
ZGJEDHJA – Të jesh shqiptar këtu, është diçka shumë e mirë. Abazaj dhe Rroca kanë ndikimin e tyre që erdha këtu, por edhe objektivat e skuadrës më bindën.
RIKTHIMI – Ishte hera e parë që mungoja 6 muaj. Ndodhën disa probleme gjatë rrugës, por kjo është jeta. Ka pengesa rrugës që duhet t’i kalosh. Megjithatë gjithçka kaloi dhe tani po shijoj momentin me ekipin e ri.
ISTANBULSPOR – Jemi ambientuar mirë. Më kanë pritur mirë. Edhe çunat më kanë ndihmuar. Nuk ishte shumë e vështirë të ambientohesha, pasi unë e flas pak edhe gjuhën turke. Të gjithë më kanë pritur shumë mirë.
KOMBËTARJA – Për ne shqiptarët e Maqedonisë është ëndërr të luajmë për Shqipërinë. Momentalisht nuk po mendoj, pasi nuk kam ndonjë ftesë. Nuk kam bërë asgjë në fushë momentalisht dhe nuk mund të kërkoj Kombëtaren.
KRAHASIMI – Të dy shtetet vajzat i kanë të bukura, por mund të them se Tirana është më e mirë për jetën.
MË I MIRI I SUPERIORES – Kampionati shqiptar ka shumë lojtarë të mirë. Mund të them shoku im Vesel Limaj, ka shumë cilësi. Superiorja ka shumë lojtarë me cilësi.
PARTIZANI-KUKËSI – Kam shokët te Kukësi dhe te Partizani, por mendoj se fiton Partizani. Të kuqtë më duken më lart. Vllaznia na ka surprizuar të gjithëve, shpresoj të vazhdojë kështu. /abcnews.al