Nga Fieri gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët, kryeministri Edi Rama është ndalur edhe tek korrupsioni. Rama tha ndër të tjera se Reforma në Drejtësi do kohën e vet, ndërsa shtoi se Vettingu pastroi sipas tij llumin.
“Te korrupsioni çështja është pak më e komplikuar sepse lufta kundër korrupsionit është faktikisht shtet-ndërtim. Gjermanët nuk janë më të ndershëm se shqiptarët nga geni. Po nëse në Gjermani është e paimagjinueshme që një nënpunës të kërkojë para kjo është për shkak se këtë e bën sistemi të pamundur. Duhet të kemi një sistem që e bën korrupsionin të pamundur dhe kjo kërkon shumë kohë.
I mirëkuptoj ata që ndihen të zhgënjyer nga reforma në drejtësi. Por nëse kemi durim do të kuptonin se sot është koha më shumë se kurrë që shqiptari duhet të ketë besim dhe shpresë. Nuk bëhet drejtësia duke thënë pse nuk fut në burg dhe atë. Nuk jemi në vitin ’45”, tha Rama.
Lexo edhe: Porte, aeroporte dhe rrugë: Rama rendit projektet për mandatin e tretë
Kreu i qeverisë komentoi sërish edhe arrestimin e gjyqtares së Krujës, Enkeleda Hoxha, duke e cilësuar atë si “Tiren e drejtësisë”. Sipas Ramës, arrestimi i saj ndër të tjera ishte edhe mesazh i qartë nga institucionet e reja.
“Çështja është që të krijojmë triumfin e drejtësisë në sistem. Pastrimi i llumit që ishte në drejtësi nuk është fjalë goje. Vettingu ka bërë një pastrim radikal. Ka akoma. Sot me sigurti ka ndodhur ndonjë krim në ndonjë gjykatë. Por ama ka ndodhur diçka shumë e rëndësishme. Një gjykatëse përfaqësuese e këtij llumi është sot para hekurave. Është dhënë mesazhi shumë i qartë nga institucionet e reja të drejtësisë që këtu ka një limit.
Po ashtu goditja që u bë ishte shumë e pështirë të shikoje Tiren dhe të tjerët, por ama lajmi i mirë është që janë prapa hekurave. Tirja nuk është një fenomen i kësaj pandemie, është fenomen i pandemisë së korrupsionit në 30 vjet”, tha Rama.