Këtë të premte në emisionin Bardh a Zi u diskutua për sistemin shëndetësor, marrëdhënien mjek-pacient, ryshfetet dhe se çfarë duhet bërë më shumë për këtë sektor që problemi i ryshfetit apo korrupsionit të zhduket.
Gjatë bisedës në studio teksa foli për doktorët, Petrit Vasili e konsideroi mitmarrjen të patolerueshme, duke theksuar se për mjekët ne Evropë janë zgjidhur mekanizma shumë pozitive duke e evituar këtë fenomen, gjë e cila nuk ka ndodhur në vendin tonë.
Nga ana tjetër Vasili riktheu në vëmendje pandeminë e gripit të derrit, për të cilën u shpreh se ishin po të njëjtët mjekë përballë kësaj situate.
“Mjekët kanë përballuar pandeminë e gripit të derrit. Por kryeministri flet gomarllëqe të ndryshme. Mjekët nuk duhen përdorur për të hequr hallet politike. Nuk duhet të vendosen në vijën e parë të kamerave. Kjo kohë nuk ka nevojë as për fjalë të mëdha as për fjalë të bukura. Jam rezervuar në përdorimin e fjalës heronj për faktin se nuk duhet të ishim kujtuar sot se këta janë heronj”, u shpreh Vasili.
Ndërsa Astrit Beci, vlerësoi figurën e mjekut, duke u shprehur se ditën e sotme është cenuar raporti mjek-pacient dhe se duhet rikthyer besimi i qytetarëve tek bluzat e bardha.
“Ne kemi një klasë mjekësh që bëjnë një punë të palodhur dhe vitin e fundi janë heronjtë e kësaj kohe që ne po jetojmë. Besoj që figura e mjekut duhet lartësuar sepse është cënuar raporti mjek-pacient”, tha Beci.
Kastriot Çipa ndërsa ndau mendime disi ndryshe, tha se problemi me sistemin shëndetësor ka ekzistuar dhe se në këto 7 vite të qeverisjes Rama, sipas tij po zhduket edhe morali i mjekëve.
/abcnews.al/

