Erjon Hoxhallari, mbrojtësi i Tiranës, ka dalë sot para mediave për të folur në lidhje me duelin e radhës me Teutën. Futbollisti kryeqytetas foli për gjendjen e skuadrës, mungesat në mbrojtje dhe nevojën për të marrë pikë që në sfidën me durrsakët nesër.
GJENDJA E EKIPIT – “Besoj se jemi në gjendje të mirë, e treguam edhe me Kukësin që gjendja fizike është e mirë. Luajtëm fort, por na munguan golat, ndoshta edhe një penallti që nuk na u dha. Do të ishte mirë të kishim fituar, pasi do të vinim me një moral tjetër”.
NEVOJA E PIKËVE – “Është e vërtetë, në pozicionin ku jemi ne na duhen pikët, shpresojmë që pas lojës së mirë të vijnë edhe pikët. Mendoj që në këtë moment fokusi nuk është objektivi, por ndeshja e radhës. t’i marrim një nga një ato dhe në fund të shohim. Kemi arritur shpesh te porta kundërshtare, por nuk kemi shënuar. Nëse përqendrohemi më shumë do të jetë më e lehtë”.
MUNGESAT NË MBROJTJE – “Tek Tirana kanë ardhur lojtarë të përzgjedhur dhe janë nga më të mirët. Cilido të mungojë në fushë do të zëvendësohet në mënyrën më të mirë të mundshme. Tirana, një nga mbrojtjet më të mira? Meritën nuk duhet ta marrim vetëm ne mbrojtësit, pasi ekipi mbron i gjithi, duke filluar që nga sulmi. Të gjithë kemi merita”, u shpreh Hoxhallari. /abcnews.al