Kombëtarja e basketbollit humbet një nga lojtarët e saj më të rëndësishëm për ndeshjen e sotme ndaj Qipros, në orën 18:00. Gerti Shima del pozitiv me Covid-19 dhe nuk luan në sfidën e Botërorit.
Një lajm i keq në vijim të shumë të tjerëve. Kombëtarja shqiptare nuk do të ketë sot në formacion një nga basketbollistët e saj kryesorë, Gerti Shimën, ndërsa do të përballet me Qipron në orën 18:00 në eliminatoret e Kupës së Botës.
Shima, 34-vjeçar, është i infektuar me koronavirus dhe është i detyruar të izolohet, ndërsa bëri një njoftim në faqen e tij në Facebook, duke shprehur keqardhjen për këtë ndalesë, e duke i uruar kombëtares fitore, ashtu si në ndeshjen e parë të luajtur në Shqipëri.
Ekipi përfaqësues fitoi 71-64 ndaj qipriotëve në Pallatin e Sportit “Dhimitraq Goga” në Durrës në shkurt të vitit të kaluar, ku Shima ishte një nga titullarët. Mungesa e tij pritet të ndikojë në sfidën e sotme në Nikozia të Qipros, pasi tiranasi mbetet një nga lojtarët e formacionit, pavarësisht moshës 34-vjeçare.
Ai ka një karrierë të gjatë sportive prej më shumë se 20 vjetësh, duke u vlerësuar si një nga talentet më të mirë të basketbollit shqiptar në këtë periudhë e duke luajtur për Tiranën, Valbonën, Sigal Prishtinën, Pejën e Bashkimin e Pejës në Kosovë dhe për Çapljina Lastën e Kroacisë.
Shqipëria do të luajë më pas në 21 shkurt ndaj Bjellorusisë, sërish në grupin eliminator të Botërorit, por Shima nuk pritet të jetë gati as për këtë sfidë. /abcnews.al