Kreu i FRPD-së, Belind Këlliçi vijon që të shkelë rregullat anti-COVID. Ditën e sotme ai ka publikuar disa foto nga një takim në një nga zyrat e PD-së në zonën e Astirit në Tiranë me një grup qytetarësh, të cilët sipas tij janë të prekur nga projekti i unazës, ndërsa u premtoi se nëse PD-ja do të vijë në pushtet pas 25 prillit do i dëmshpërblejë.
Por takimi është zhvilluar jashtë rregullave të përcaktuara nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, pasi në ambientin në fotot e publikuara janë më shumë se 10 veta, afro 40, pa distancë, ngjitur dhe pjesa më e madhe pa maska.
“Takova ekipin e Grupseksionit 4 të PD në zonën e Astirit. Banesat private të kësaj zone preken direkt nga projekti abuziv i Unazës së Re. Diferencimi ndasor me legalizimet e shtëpive dhe dhuna sistematike gjatë 400 ditëve protesta të banorëve, kanë shënuar kulmin e urrejtjes ndaj modelit Rama.
Marrja me dhunë e banorëve dhe mbajtja e tyre në rajonet e policisë ka qenë e paligjshme! Ka patur raste kur vetë ministra të qeverisë Rama, kanë kërkuar në ditë të caktuara, që disa familje të merreshin me forcë në komisariate.
Banorët kërkojnë një qeveri që mbron interesat e tyre. Një qeveri për të gjithë shqiptarët! Qeveria Basha, pas 25 prillit, do të dëmshpërblejë banorët për shtëpitë që kanë ngritur me kursimet e një jete. Sakrifica sublime e banorëve protestues të Unazës së Re, nuk do të harrohet” shkruan ai duke e injoruar koronavirusin.
Sot u shënuan 18 viktima dhe nga 3091 testime u zbuluan 1075 raste pozitive me koronavirus në vend./ db/ Abcnews.al



