Vazhdojnë hetimet mbi sherrin e ndodhur mes Zlatan Ibrahimovic dhe Romelu Lukakut në ndeshjen çerekfinale të Kupës së Italisë. Ditën e djeshme ishte radha e sulmuesit të Interit për të dhënë versionin e tij të ngjarjes, pasi më parë para prokurorëve të çështjes kanë dalë edhe Ibra e gjyqtari Valeri.
Mirëpo, për të mësuar vendimin përfundimtar të prokurorëve duhet të presim të paktën deri në muajin mars. Sipas raportimit të “Tuttosport”, vendimi nuk do të merret këto ditë sepse gjithçka mund të varet nga një çështje tjetër që Federata ka hapur hetim.
Bëhet fjalë për komentet e sulmuesit të Pizës, Michele Marconi, i cili nuk u kursye aspak ndaj ish-lojtarit të Interit, Joel Obi, i cili tashmë luan për Chievo Veronën në Serie B. Vlerësimi që do të marrin prokurorët për këtë çështje do të ndikojë absolutisht edhe tek rasti Ibra-Lukaku, pasi të dyja çështjet konsiderohen të ngjashme. /abcnews.al