Rikthehet frikshëm Ebola, pesë të vdekur në Guinea

schedule14:07 - 16 Shkurt, 2021

schedule 14:07 - 16 Shkurt, 2021

Pesë persona kanë vdekur nga Ebola në Guinea. Lajmi është konfirmuar nga agjencia shëndetësore, ndërsa qeveria dhe grupet e ndihmës janë vënë në gatishmëri.

Kjo është ‘ringjallja’ e parë e sëmundjes në vendin e Afrikës Perëndimore që nga shpërthimi më i keq në botë midis 2013 dhe 2016 që la më shumë se 11,300 të vdekur në Guinea, Liberi dhe Sierra Leone.

Sipas një raporti epidemiologjik nga agjencia shëndetësore e vendit e datës 15 shkurt, pesë persona janë infektuar me këtë virus dhe kanë humbur jetën, përcjell abcnews.al.

Vetëm një nga viktimat u konfirmua pozitive për Ebola, dhe katër të tjerët janë listuar si “raste të mundshme'”.

Dy persona të tjerë kanë rezultuar pozitivë, tha agjencia shëndetësore, ndërsa 10 të tjerë po shfaqin simptoma.

Viktima e parë e konfirmuar ishte një infermiere 51-vjeçare, e cila vdiq në fund të janarit.  Dy nga vëllezërit e infermieres që morën pjesë në varrimin e saj më 1 shkurt në Gouecke gjithashtu kanë vdekur, tha një zyrtar shëndetësor i cili kërkoi anonimitet.

Ata ishin sëmurë me diarre, të vjella dhe gjakderdhje pasi morën pjesë në varrim. Mbetet e paqartë se cilët janë viktimat e tjera, apo nëse ata morën pjesë në varrimin e infermieres.

Zyra e Guinesë së KB shkroi në Twitter se një ekip me ekspertë dhe pajisje sanitare mbërritën në Nzerekore të hënën.

Kryeministri Ibrahima Kassory Fofana tha se Guinea kishte “ngritur struktura për t’u marrë me këtë lloj epidemie”.

“Pa panik, le të respektojmë udhëzimet sanitare. Ebola do të mposhtet përsëri”, shkroi ai në Twitter.

Ebola shkakton ethe të forta dhe, në rastet më të këqija, gjakderdhje të pandalshme. Transmetohet përmes kontaktit të ngushtë dhe njerëzit që jetojnë me pacientët ose kujdesen për ta janë më të rrezikuarit. g.v/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!