Një pacient i infektuar me COVID i cili merrte trajtim mjekësor në spitali infektiv ka ndërruar jetë në moshën 79-vjeçare. Vajzat e tij kanë denoncuar në media se babai i tyre është lënë afër derës në të ftohtë pa marrë shërbimin e duhur mjekësor. Ato thonë se i ati i ka kërkuar ta nxjerrin nga spitali pasi sipas tyre ishte lënë në një karrige ku nuk e prekte njeri.
“Na thanë që vetëm këtu kishte oksigjen, na thanë që nuk kishte vende të lira në spitale, vendosëm që ta sillnim këtu. Babai na merrte çdo çerek ore dhe na thoshte se nuk i bënin asgjë, e kishin lënë afër derës dhe kishte ftohtë. Doktoresha Migena Qato nuk kishte një etikë mjekësore, ajo thoshte që po i bëjmë skaner, dhe babai thoshte nuk i bënin asgjë. Babai thoshte që të dilnin, ne komunikuam dhe me mjekë në Bruksel dhe thoshin që nuk është gjendja aq e rëndë sa e thonë ata aty.
Ishim me mëdyshje nëse duhet ta nxirrnim apo jo nga spitali, kërkuam që ta çonim në një spital tjetër. Babai thoshte jepni pare dhe më nxirrni nga këtu. Nuk kam për t’ia falur kurrë vetes këtë, që e shtruam babanë këtu. Kurrë më asnjë të afërm në publik, e vërtetuam këtë mbrëmë, me ikjen e babait tonë.
Na tha se e kishin lënë në një karrige, nuk e prekte njeri me dorë, babai ynë ishte intelektual. Kemi shumë pikëpyetje, babai ynë ka ikur me brengë në zemër, na iku tak fak. Ne kemi burim nga brenda që nuk i është bërë skaner, ju lutem mos sillni prindërit këtu, të afërmit, e kemi të provuar që nuk i është bërë asgjë”, thuhet mes të tjerash në denoncimin e tyre të bërë në media.
Ndërkohë ka ardhur edhe reagimi i QSUT në lidhje me këtë ngjarje. Në deklaratë thuhet se pacienti ka mërritur me urgjencë në gjendje të rëndë ndërsa mjekja vazhdimisht ka pyetur familjarët nëse duan ta nxjerrin nga spitali për ta dërguar diku tjetër apo jo.
“Në vijim të një interviste të dhënë sot nga vajzat e qytetarit R.L., duke respektuar dhimbjen dhe rolin që ajo luan në gjykimin e tyre, dëshiron të sqarojë opinionin publik si vijon: Pacienti me inicialet R.L ,79 vjec, ka mbërritur me urgjencë pranë Spitalit Covid 1, ora 16:30 të datës 15 Shkurt 2021, në një gjendje shumë të rënduar shëndetësore, në kushtet e Insuficiencës së rëndë respiratore (me saturime 70% nën oksigjenoterapi 20L)
Menjëherë është pranuar në urgjencën e Spitalit Covid 1 dhe ka marrë shërbimin e nevojshëm shëndetësor, sipas protokolleve.
I është bërë skaneri ne orën 17:15, është komunikuar menjëherë pas realizimit të skanerit me familjarët duke ju shpjeguar gjendjen tepër të rëndë si në aspektin klinik ashtu edhe atë imazherik. Gjendja e pacientit ka vazhduar të jetë e rënduar, ndërkohë që ka qenë gjatë gjithë kohës në oksigjenoterapi (sipas rekomandimeve edhe te mjekeve reanimatore).
Ndërkohë, mjekja e rojës është gjendur vazhdimisht nën presionin dhe ndërhyrjet e familjarëve, të cilët kanë patur madje dhe një komunikim të acaruar mes tyre, në ambjentet e jashtëme të spitalit, mbi vendimin për ta mbajtur apo për ta nxjerrë pacientin nga spitali dhe për ta dërguar në nje shtet tjetër Europian për trajtim.
Duke e mirëkuptuar gjendjen e rënduar të të afërmve, mjekja roje dhe kuruese Dr. Migena Qato ka komunikuar me ta çdo 15 minuta, pavarësisht se sjellja e tyre kundrejt saj, ia ka vështirësuar tej mase ushtrimin e detyrës dhe ofrimin e shërbimit për pacientët e shumtë që merrnin shërbim në spitalin Covid 1 ku mjekja shërbente.
Në vijim komunikimi me dy motrat ka vazhduar edhe nga Shefja e Shërbimit Prof. Najada Çomo.
Sigurojmë dhe një herë familjaret dhe qytetarët se pacientit i janë kryer të gjitha shërbimet e nevojshme, por për fat të keq ai nuk ia ka dalë dot për shkak të gjëndjes së rënduar të mushkërive, në momentin e mbërritjes së tij në spital.
QSUNT hedh poshtë çdo insinuatë për mungesë shërbimi, dhe është e gatshme të ofrojë të gjithë informacionin dhe provat e nevojshme, që vërtetojnë të kundërtën.
Lusim mediat që të inkurajojnë qytetarët të paraqiten në kohë pranë shërbimeve shëndetësore për të marrë shërbimin e nevojshëm në kohën e duhur, pasi cdo vonesë sjell pasoja në shëndetin e tyre. Gjithashtu garantojme që stafi ynë mjeksor do bëjë të pamundurën, ashtu sic ka vepruar per gjatë gjithë kësaj periudhe pandemie me një përkushtim të jashtzakonshëm!”, përfundon deklarata./mv.abcnews.al