Dario Pali, menaxheri i ekipit të Laçit, është i ftuar në emisionin “Pressing” në ABC. Ecuria e ekipit kurbinas ka qenë e mirë në javët e fundit, por në Ballsh kishte një problematikë për shkak se Kyrian Nwabueze u ndëshkua me karton të kuq dhe më pas pati edhe një sherr masiv.
“Kemi lënë pikë në fillim, por rikuperuam më pas. Jemi aty pranë me kreun edhe ne”, tha fillimisht Pali në lidhje me ecurinë e Laçit dhe më pas u pyet në lidhje me sherrin në Ballsh. “Klubi vendosi të dënojë Nwabueze. Do flas më specifikisht, isha në stadium. Ky lloj incidenti e kishte një arsye.
Sa herë luan Laçi atje ka shumë presion. Lojtarët e Bylisit, 15 minutat e para në çdo faull shkon të gjithë tek arbitrit. Ndoshta e keqmenaxhoi, duke mos e ulur ritmin e tyre. Nuk lejohet as me protokoll sanitar, maksimumi shkon kapiteni për ndonjë rast. Gjithë kohën shkonin tek ai dhe nuk kishte asnjë të verdhë.
Arbitri e keqmenaxhoi, ishte pa eksperiencë. Ndoshta jo qëllimisht, por ishin dy penallti që bënin që situata të mos shkonte në atë pikë. Gjithë ndeshjen është sulmuar, sharjet kanë qenë prezente. Janku dhe Carkanji e kanë ofenduar gjithë kohën, madje ka pasur edhe goditje pas shpine. Ne e kemi marrë vendimin ndaj tij, e kemi dënuar.
13-14 vetë që ishin kundër Nwabueze. Dëgjoj zëvendëstrajnerin e Bylisit që thotë që kam shkuar të ndajë, por është i pari që e godet. Ata e godasin poshtë, serbi, dhe një pjesëtar tjetër, zëvendëstrajner a mjek, çfarë është. Ata e kanë vënë poshtë dhe e godasin.
Klubi i Bylisit të mos bënte vetëgjyqësi, t’ia linin organeve ta dënonin Nwabueze. Nuk kanë pasur probleme kur kanë ardhur tek ne, kur shkojmë ne atje ndodh ndryshe. Nwabueze e kishte të akumuluar, e provokojnë në çdo ndeshje”.
“Klubi ynë është distancuar nga gjestet antisportive, kemi pezulluar lojtarë edhe për në stërvitje. Jemi pro futbollit të bukur. Vjet fituam çmimin ‘fair play’ dhe nuk ishte rastësi. Ia kemi lënë organeve të vendosin për Nwabueze. Ai ka pasur dëshirë të qëndrojë me ne, pasi mendonte se mund të fitonim diçka në fund të sezonit”. /abcnews.al