Emir Sahiti në verë vendosi të lërë Hajduk Splitin, ku nuk kishte shumë hapësira dhe kaloi te Sibenik, ku po bën shumë mirë dhe po udhëheq skuadrën e tij drejt triumfeve.
Deri më tani ai ka shënuar 6 gola dhe 1 asist në 20 ndeshje. Talenti nga Prishtina së fundmi ka folur për Zëri.info, ku paralajmëron edhe mundësinë e kalimit te Kosova.
Ai në të shkuarën ka luajtur me Shqipërinë U21, me të cilën numëron 10 ndeshje dhe 2 gola. Sahiti lë të kuptohet se po pret ftesë nga Reja për ndeshjet e marsit.
FORMA E MIRË – “Jam shumë i kënaqur me paraqitjet e këtij edicioni. Shpresoj shumë se do të vazhdoj në këtë mënyrë që ta ndihmoj skuadrën në arritjen e objektivave. Deri më tani kam realizuar gjashtë gola. Synimi është të vazhdoj me gola dhe ndeshje të mira”.
OBJEKTIVAT – “Synimet e Sibenikut janë që të mbetemi në elitë. Unë jam i huazuar në Sibenik dhe premtoj se do ta jap maksimumin tim për arritjen e synimeve. Pas përfundimit të edicionit do të bisedoj me menaxherin tim dhe Hajdukun për të vendosur më pas për të ardhmen time”.
SHQIPËRIA – “Deri më tani nuk më ka kontaktuar askush. Puna ime është që ta tregoj veten në fushë dhe nëse me vjen ftesa nga Kombëtarja unë do të jem gati”.
KOSOVA – “Më duhet të bisedoj me familjen dhe menaxherin. Nuk duhet të mërzitet askush nëse e ndërroj Kombëtaren, pasi ne jemi vëllezër”, përfundoi Emir Sahiti. /abcnews.al