Trump pagoi më shumë se 3.5 milionë dollarë për organizatorët e trazirave të 6 janarit

schedule21:30 - 11 Shkurt, 2021

schedule 21:30 - 11 Shkurt, 2021

Nga Anna Massoglia “Open Secrets”

Ndërsa ish-presidenti Donald Trump, po përballet me një gjyq për fajësimin e tij në Senat,

me akuzat e nxitjes së sulmeve ndaj Capitol Hill në 6 janar të këtij viti, shumë pyetje pa përgjigje në lidhje me shkallën e plotë të lidhjeve të tij me një tubim aty pranë në të njëjtën ditë, nxjerrin në pah nevojën për më shumë transparencë mbi financimin e fushatës së tij elektorale.

Pagesat e identifikuara rishtazi nga të dhënat e fundit të Komisionit Federal të Zgjedhjeve (FEC), tregojnë se njerëzit e përfshirë në organizimin e protestave më 6 janar 2021, morën shuma edhe më të mëdha nga fushata e Trump në vitin 2020, sesa dihej më parë.

“OpenSecrets”, zbuloi më shumë se 3.5 milion dollarë pagesa të drejtpërdrejta nga fushata

e Trump 2020, së bashku me komitetin e saj të përbashkët për mbledhjen e fondeve, për njerëzit dhe organizatat e përfshira në demonstratën e Uashingtonit, para se një turmë e dhunshme të sulmonte Capitol Hill-in.

Të dhënat e fundit të FEC, tregojnë të paktën 3 individë të listuar në regjistrat e lejeve për protestën e Uashingtonit, që ndodhen edhe në listë-pagesat e të fushatës së Trump deri më 30 nëntor 2020. Kështu shtabi elektoral i presidentit Trump ka paguar deri më 15 dhjetor, “Event Strategies Inc”, një kompani që aplikoi për leje për tubimin famëkeq, dhe që kishte të punësuar 2 individë të përfshirë në demonstratë.

Dhje kjo vetëm 3 javë para sulmeve në Capitol. Roli i Trump në tubimin e Uashingtonit

pak para sulmeve të 6 janarit, pritet të ketë vëmendjen kryesore në gjyqin e fajësimit. Por publiku amerikan, mund të mos e dijë kurrë shkallën e plotë të pagesave të fushatës Trump për organizatorët e përfshirë në protesta.

Kjo pasi shtabi elektoral përdori një skemë pagese të paqartë, që fshihte detajet e qindra miliona dollarëve shpenzime. Pagesat kryheshin përmes kompanive off-shore, ku fshihej edhe paguesi i fundit. Sipas të dhënave të reja të analizuara nga OpenSecrets, shtabi i Trump dhe komiteti i përbashkët i mbledhjes së fondeve “Trump Make America Great Again Committee”, shpenzoi më shumë se 771 milion dollarë përmes “American Made Media Consultants LLC”.

Kompania sekrete dhe me përgjegjësi të kufizuar, u krijua nga ndihmësit e fushatës dhe anëtarët e rrethit të ngushtë të Trump, për të vepruar si një “zyrë pastrimi” me synim pagimin e kompanive të ndryshme, por duke fshehur transaksionet e fushatës me ta.

Zakonisht FEC nuk u kërkon shtabeve elektorale detaje mbi pagesat që shtabet bëjnë për nënkontraktorët, për sa kohë që shtabi nuk ka një ndikim të papërshtatshëm, dhe kur nënkontraktori nuk punon nën drejtimin apo kontrollin e fushatës.

Por roli i individëve në rrethin e ngushtë të Trump, në krijimin e një kompanie me përgjegjësi të kufizuar, përmes së cilës shtabi shpenzoi miliona dollarë, ngre pikëpyetjen nëse kompania është në fakt e ndarë nga shtabi i fushatës.

Dhëndri i ish-presidentit dhe këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Jared Kushner, thuhet se ndihmoi në krijimin e një kompanie me përgjegjësi të kufizuar, ndërsa kunata e tij, Lara Trump, thuhet se ishte pjesë e bordit të saj.

Gjatë fushatës presidenciale të vitit 2020, kjo skemë pagese ka fshehur qindra miliona dollarë

të paguara ndaj kompanive që vepruan në emër të fushatës Trump, si dhe anëtarëve të familjes së tij. Përfituesit e panjohur të atyre pagesave, thuhet se përfshinin Lara Trump, si dhe mbledhësen e fondeve të fushatës, Kimberly Guilfoyle.

Lista e plotë e individëve që punuan për fushatën e Donald Trump, mbahet e fshehur nga publiku amerikan. Detajet e këtyre pagesave, si natyra e shërbimeve të ofruara nga secili individ, dhe sasia e parave që kanë ndërruar duar, janë të mbuluara me mister.

Roli i grupeve jofitimprurëse të “parave të errëta”, që nuk zbulojnë donatorët e tyre në organizimin e demonstratave më 6 janar, vetëm sa e shton paqartësinë. Nga organizatat jofitimprurëse politike aktive, kërkohet vetëm të raportojnë informacione të kufizuara në lidhje me marrëdhëniet e tyre financiare në regjistrimet e taksave, më shumë se një vit pasi

të ndodhin aktivitetet.

Ato mund të jenë në gjendje të ruajnë përgjithmonë sekretin e financuesve të tyre. Mungesa e transparencës që kërkohet nga grupe të tilla, nënkupton që shumë detaje se kush paguan dhe kush mbështet aktivitetet e tyre, mund të mbeten të fshehura.

Shtimi i kompanive off-shore dhe i grupeve politikisht aktive, që marrin fonde nga burime të pashtershme, e ka bërë më të vështirë së kurrë gjurmimin e shpenzimeve politike. Në rrethanat më normale, ky hendek mund të shfrytëzohet për të fshehur çdo gjë, nga koordinimi i paligjshëm i fushatës, deri tek politikanët që mbushin me para xhepat e tyre./ Përktheu: Alket Goce-abcnews.al