Papa Françesku ka nisur të shtunën një vizitë në Republikën e Irlandës, që ka si mision shërimin e plagëve të abuzimeve. Në mesazhin e parë, Ati i shenjtë është shprehur i turpëruar nga skandalet që kanë mbuluar kishën.
Papa Françesku ka mbërritur të shtunën në Republikën e Irlandës, një vizitë kjo që vjen në një moment kritik për Kishën Katolike, e mbuluar nga skandalet e pedofilisë. Gjatë vizitës, ati i shenjtë do të takohet me viktima të abuzimeve dhe do ta mbyllë atë të dielën me një meshë masive përpara 500 mijë personave. Sikurse në të gjithë botën, edhe kisha irlandeze është përfshirë nga skandali dhe mesazhi i Papës nuk ka munguar që në ditën e parë të vizitës. “Kisha ka dështuar dhe për këtë ndjej dhimbje dhe turp”, ka thënë Papa.
Ai është pritur në aeroport nga një grup fëmijësh që i kanë dhuruar atij lule dhe më pas ka udhëtuar drejt selisë së presidentit, ku është pritur nga kreu i shtetit, zonja e parë dhe një ceremoni e Gardës së Nderit. Kjo është vizita e parë papale në Republikën e Irlandës në thuajse 40 vjet, pas asaj të Gjon Palit të Dytë në vitin 1979. Që nga vizita në fjalë Irlanda ka përjetuar shumë ndryshime, nga zakonet deri tek çështjet sociale si aborti, divorci dhe martesat mes së njëjtës gjini. Të premten, kryeministri irlandez tha se shpreson që vizita e Papa Françeskut të shënojë një kapitull të ri në marrëdhëniet e Irlandës me kishën./abcnews.al