I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, u ka thënë përfaqësuesve të vendeve anëtare të bllokut, se nuk pret ndonjë marrëveshje të shpejtë për normalizimin e raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit.
Ai po ashtu u ka thënë shteteve anëtare se nuk do të organizojë ndonjë raund të ri të bisedimeve, derisa në Kosovë të mos formohen institucionet e reja, që pritet të dalin pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Lajçak ka folur para ambasadorëve në Komitetin për politikë dhe siguri, ku ka prezantuar punën e tij të deritashme, kur po afrohet fundi i mandatit të tij njëvjeçar. Ky mandat skadon në fund të muajt të ardhshëm dhe sipas burimeve diplomatike, ai pret që Këshilli i BE-së t’ia vazhdojë mandatin.
Sipas burimeve, që janë në dijeni të diskutimeve në komitetin përkatës, Lajçak ka thënë se nuk mund të flasë më për afatet kohore se kur mund të pritet ndonjë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.
Këtë, ai e ka arsyetuar me situatën politike në Kosovë dhe nevojën që të pritet formimi i institucioneve të reja. Lajçak, sipas këtyre burimeve, ka thënë se duhet pritur po ashtu që edhe Prishtina e Beogradi t’u tregojnë qytetarëve të vetë se çfarë kompromisesh janë të nevojshëm për një marrëveshje eventuale.
Paraqitja e Lajçakut para përfaqësuesve të 27 vendeve anëtare duket krejt e ndryshme nga ajo që ai thoshte në vit më parë, në fillim të mandatit. Në atë kohë ai thoshte se nuk ka kohë për të humbur dhe se do të punojë për arritjen e një marrëveshjeje sa më shpejtë që të jetë e mundur.
“Është çështje muajsh e jo vitesh”, thoshin atëbotë nga Bashkimi Evropian.
Lajçak ka folur edhe për nevojën e bashkëpunimit mes BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ka konfirmuar se pret mbështetje për punën e tij nga administrata e re amerikane e presidentit, Joe Biden.
Në këtë diskutim thuhet se shumë përfaqësues të vendeve anëtare të bllokut evropian, e kanë konsideruar si lehtësim të madh faktin se tash do të ketë një mbështetje amerikane për dialog. Madje disa burime thonë se Lajçak ka përmendur edhe termin “sabotim”, duke thënë se “tash nuk pret më sabotime nga Uashingtoni”, duke iu referuar aktiviteteve të ish-ambasadorit Richard Grenell, i cili ishte emëruar si i dërguar i posaçëm i ish-presidentit, Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi.
Kështu, viti i parë i mandatit të Miroslav Lajçakut dhe ekipit të tij ka mjaftuar vetëm për ta quajtur si sukses të madh faktin se dialogu ka rifilluar.
Që nga muaji shtator i vitit 2020, nuk ka pasur më takime të nivelit të lartë, në kuadër të dialogut. Edhe pasi ai kishte rifilluar në korrikun e kaluar, palët kanë pasur qëndrime të kundërta për shumë pika, sidomos rreth krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kosova ka refuzuar që të bisedohet për këtë temë, ndërkaq Serbia ka insistuar që Asociacioni të formohet, pasi ka argumentuar se ky është obligim që del nga Marrëveshja e Brukselit.
Bashkimi Evropian vazhdimisht i ka bërë thirrje Kosovës që ta zbatojë Marrëveshjen për Asociacionin, duke rikujtuar se Kosova “ka marrë obligim për këtë edhe përmes miratimit të sajë në Kuvendin e Kosovës”.
I dërguari i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak ka thënë në këtë takim, sipas burimeve diplomatike evropiane, se ai nuk do të rifillojë nga zeroja, por do të vazhdojë aty ku kanë mbetur me dialogun dhe kjo do të ndodhë pasi të krijohen institucionet e reja në Kosovë.
Sa i përket bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në BE i gëzohen këtij bashkëpunimi, por nuk janë në gjendje të thonë nëse edhe BE-ja e ndan qëndrimin se qëllimi i dialogut duhet të jetë njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, ashtu siç ka kërkuar presidenti amerikan, Joe Biden në një letër dërguar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
E pyetur se çfarë marrëveshje pret që të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë, BE-ja thotë se “pret marrëveshje për normalizim gjithëpërfshirës të raporteve, ligjërisht obliguese, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, standardet evropiane dhe të pranueshme për të gjitha vendet e Bashkimit Evropian”.
Nën ndërmjetësimin e BE-së, dialogu midis Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Pas një pauze 20-mujore, dialogu rinisi në korrikun e vitit 2020.
Takimi i fundit i udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë u zhvillua në shtatorin e vitit të kaluar.
Deri në zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës, Brukseli zyrtar ka paralajmëruar se nuk do të ketë takime në kuadër të dialogut.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë do të mbahen më 14 shkurt./RE/