Ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka këtë të premte është takuar me, homologun e saj të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.
Në një konferencë të përbashkët, u vu theksi tek integrimi evropian i dy vendeve. Sipas Xhaçkës, dy vendet kanë ndërmarrë hapa të guximshme për të ecur përpara dhe kjo për faktin se popujt e dy vendeve besojnë tek perspektiva evropiane.
Shqipëria dhe Maqedonia u shpreh ajo i kanë plotësuar kushtet për mbajtjen e konferencës ndërqeveritare.
Deklarata e plotë:
Së pari, të dyja vendet tona, siç e ka konfirmuar edhe vetë Këshilli në Mars 2020, i kanë plotësuar kushtet për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare. Dhe të dyja vendet tona kanë bërë shumë punë për të plotësuar kushtet. Në këtë pikë, dua në fakt të vlerësoj maksimalisht vendosmërinë dhe punën e Kryeministrit Zaev, të qeverisë së tij, të koalicionit qeverisës dhe të faktorit shqiptar, për të çuar përpara integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut.
Gjithkush që e njeh rajonin tonë, besoj e kupton që arsyeja përse qoftë në Shqipëri, qoftë në Maqedoninë e Veriut, ka qenë e mundur që të hidhen hapa kaq të guximshme përpara, është sepse ne – pjesa dërrmuese e popullsive tona – besojmë tek perspektiva evropiane. Do të ishte për të ardhur keq, në qoftë se kjo punë kaq e madhe e ky besim kaq i madh do të zhgënjeheshin sërish, për shkak të konsideratave subjektive, politike të vendeve anëtare, në një moment që vlerësimi objektiv, teknik nga ana e Këshillit dhe vendimi i tij në mars 2020 ka qenë pozitiv.
Së dyti, stabiliteti, siguria dhe zhvillimi i rajonit tonë janë të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme me perspektivën evropiane. Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO ishte një arritje e shkëlqyer, që e ka bërë rajonin tonë shumë më të sigurt. Anëtarësimi në BE i mbarë rajonit, është garancia e zhvillimit të rajonit, por jo vetëm kaq, është edhe një kontribut i madh për sigurinë e vetë BE./abcnews.al