Mjekja kirurge në “Spitalin Hygeia”, Erjona Sinani e ftuar mëngjesin e kësaj të enjtjeje në “Abc-ja e mëngjesit” shprehu shqetësimin se për shkak të pandemisë janë ulur kërkesat për të kryer kontrolle për parandalimin e sëmundjeve kancerogjene, ndërsa shtoi se më shumë se 9 milionë njerëz janë diagnostikuar me sëmundje vdekjeprurëse në të gjithë globin.
“Lufta kundër kancerit është një nga luftrat më të mëdha dhe në këtë situatë pandemie nuk ngelet pas, Numri i rasteve në vitin e fundit shkon nga 9 milionë e gjysëm tek 10 milionë ndërsa diagnostikimi është më i lartë. Në situatën e pandemisë në dukje numri është rritur por statistikat nuk janë reale ngaqë për shkak të pandemisë njerëzit janë tërhequr. Diagnostikimi vazhdon të bëhet por nuk është me të njëjtin intensitet si më përpara. Nga kjo situatë njerëzit nuk paraqiten në spital. Kanceri është në stadet e avancuara dhe duke ardhur në këtë situatë dhe pritshmëria që kemi për suksesin nuk është aq e lartë.”, u shpreh mjekja.
Ajo apeloi për kryerjen e kontrolleve të duhura kohë pas kohe për të bërë të mundur kapjen në kohë të sëmundjeve kancerogjene. “Nëse njerëzit kanë histori familjare dhe e dinë se ku është pika e dobët gjenetike, të bëhen kontrolle dhe të mos presin kur të shfaqen shenja. Nëse ka diçka, trajtimi duhet filluar në kohë për të dhënë maksimumin e shancit dhe të kemi një pritshmëri mbijetese të lartë.
Ky është mesazhi që duhet të marrin njerëzit dhe të kuptojnë se nuk është vetëm duke shkuar tek mjeku, por duhet një ndërgjegjësim i brendshëm nga të gjithë për të kuptuar se parandalimi është i rëndësishëm. Për femrat mbi moshën 40-vjeç duhet bërë kontrolle, pap testi, ekografia që do të çonte në parandalimin e kancerit të gjirit. Duhet bërë çdo vit pastaj në varësi të gjetjeve rekomandohet nga gjinekologu. Ndërsa për meshkujt mbi 45 vjeç duhet bërë ekzaminimi i stomakut dhe nëse ka histori familjare.“, u shpreh më tej Sinani. /abcnews.al