Shpëtim Duro, i ftuar në emisionin “Pressing” në ABC mbrëmjen e djeshme, u bë pjesë e një diskutimi për cilësinë e futbollistëve në kampionatin tonë. “Kampionati është cilësor, kemi shumë futbollistë dhe kjo shikohet kur ikin jashtë.
Për shembull për Muçin ka meritë akademia e Tiranës, skuadra e Tiranës, ka merita Bushi që e kemi këtu. Kur të shkojë Muçi jashtë do të thonë se u bë futbollist Muçi. Muçi ka dy vite është lojtari më i mirë në Shqipëri. Kjo është e keqja.
Kemi edhe rastin e Uzunit, ai këtu u bë dhe ka qenë protagonist. Ju kujtohet Cikalleshi, ishte më i miri këtu. Sa u transferua thonë u bë se shkoi jashtë shtetit”, tha Duro fillimisht.
“Reja tha se kur ikin jashtë shpërthejnë? Pse ju ca e dini kampionatin kroat? Të gjitha skuadrat janë të forta?! Lokomotiva e Zagrebit doli në Champions League me 7 shqiptarë vjet. Tani u kanë ikur Kastrati e Uzuni, dy pikat kryesore”, shtoi trajneri i Laçit, i cili e vijon diskutimin.
“Bushi është trajner tek U21 dhe nuk i intereson nëse një futbollist luan jashtë, pasi mund ta gjejë atë që do edhe në kampionatin tonë. Varet nga strategjia që ka. Në vitin 2015, pavarësisht se ishte Agolli, Lorenc Trashi ishte 22 vjeç dhe De Biasit i kam thënë që është lojtar për kombëtare.
Edhe Batha, po ashtu Fejzullahi që ishte në kombëtare. E morën Trashin 29 vjeç në kombëtare. Ai aty ka qenë. Ma shpjegoni ju këtë. Kemi shumë lojtarë në kampionat. Muçi, nëse shkon te Rapidi i Vjenës dhe shpërthen atje, ku ka shpërthyer? Këtu, apo atje?
Këtu shpërtheu ai, pasi është lojtar i formuar. Është meritë e Tiranës sepse është aktivizuar këtu. Kampionati ynë ndoshta nuk është cilësor sa kampionatet jashtë, por ka lojtarë të mirë në çdo skuadër. Po kap një rast, Bathën.
Futeni në lojë në kombëtare dhe shikojeni. Mendoni se do luajnë më mirë ata të tjerët?! Trajneri duhet të ketë iniciativë, ka futbollistë edhe në këtë kampionat sa te duash”, përfundoi Duro, diskutimin e bërë me trajneri e Shqipërisë U21, Alban Bushin. /abcnews.al