Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës së sotme për shtyp ka folur edhe për marrëdhëniet e tij të diskutuara gjatë kohëve të fundit me Bashkimin Europian për çështjen e vaksinave.
Rama komentoi sot deklaratat e Koordinatorit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Europian, Michael Gahler i cili i kërkoi Ramës të mos përgojojë BE-në por të plotësojë kushtet për anëtarësimin në BE.
Duke iu referuar Gahler-it, Rama tha se këta janë mësuar të flasin kështu sepse dezinformohen nga opozita. Megjithatë, me tone të ashpra kryeministri i cilësoi dëngla dhe dokrra të pakonceptueshme.
“Ju keni hall se po përgojohet BE. Çfarë përgojimi ka këtu. Po të flasim për përgojim këto të gjitha janë përgojime krejtësisht të pabazuara në fakte. Unë nuk fajësoj koordinatorët e PE, e di shumë mirë se kush është fajtori, janë ata që nxjerrin rrugëve të botës tërë llafet e zeza për Shqipërinë dhe duan të vijnë në qeveri me pseudoprograme. Nuk kam përgojuar BE. Unë kam thënë atë që po e thonë sot të gjithë. I dëgjoni çfarë po thonë në Evropë për çështjen e vaksinës. E dëgjoni çfarë po thotë presidentja e KE. Po përgojon BE-në ajo? Unë në rastin konkret që nuk flas vetëm për veten, por për ty dhe për ju. Kur flasim për programet e partive është normale.
Por kur flasim për të tjerët, unë flas edhe për ty. Ky është dallimi mes vendeve që kanë politikanë seriozë dhe vbende ku politika është një cirk ku nuk mbarojnë karagjozët. Këtu bëhet fjalë për vendin tënd. Kur flitet për vaksinën dhe për këtë situatë që nuk krijuam ne. U krijua nga një qasje dritë shkurtër, e palogjikshme. Urdhëro! Ja ku janë rezultate.
Nuk ka nevojë ta mbroj asnjë koordinator i BE nga unë. E mbroj vetë BE më mirë se çdo koordinator, le të jetë gjerman, spanjoll. Po qe puna për devocion dhe përkushtim ndaj rrugës evropiane. Këta janë mësuar të flasin kështu sepse furnizohen dhe ushqehen nga Tirana. Prandaj janë mësuar të flasin kështu. Dhe nuk kanë minimumin etik të hapin gojën. Tregon kushtet dhe parakushtet ku ne flasim për shëndetin. Dëngla dhe dokrra të pakonceptueshme dhe janë produkte made in Albania. Jo, made in Germany. Për cilin 5 qershor është fjala? Se unë njoh 1 qershorin. Ç’punë ka koordinatori? Ça jemi ne? Për çfarë jemi ne këtu të hamë bar. Ju jeni bashkëfajtorë që merrni pjesë në këtë karagjozllëk të madh”,tha Rama. g.v/abcnews.al