Rruga që lidh 3 fshatra në Dibër e shkatërruar, banorët: Nëse s’merren masa, s’ka fushatë

schedule18:32 - 1 Shkurt, 2021

schedule 18:32 - 1 Shkurt, 2021

Rruga që lidh 1000 banorët e fshatrave Vrenjt, Volezë dhe Limnjan të Dibrës është e shkatërruar. Rruga rreth 6 km është ndërtuar që në sistemin e kaluar mbi 30 vite më parë. Që atëherë askush s’ka vënë dorë.

Për të gjetur një zgjidhje një përfaqësi e banorëve të 3 fshatrave shkuar në  Bashkinë e Dibrës për të takuar kryetarin që kanë votuar Dionis Imeraj, por ai nuk ndodhej në institucion.

Nuk e lanë me kaq, por shkuan dhe tek prefekti Nexhbedin Shehu, por as ai nuk ishte në zyrë. Nuk ju kërkuan dot llogari por problemin e ndanë me median.

“Kemi ardhur për rrugën e Limnjan jemi 500-600 banorë. Kemi mbi 30 makina që i paguajmë taksa shtetit dhe nuk është dhënë asnjë ndihmë. Nuk kalohet më në fshatin tonë në atë rrugë që është. Ku shkojnë këto 20 milionë lekë që i japim shtetit këtu dhe 30 vjet për mjete. E ne shkojmë e vrasim veten me këto makina”, shprehet një nga banorët.

Një tjetër qytetar thotë se kërkon nga kryetari i bashkisë të mbajë premtimin e dhënë për rrugën.

“Nga Dionis Imeraj, kryetari i Bashkisë s’kërkojmë të na i pikturojë, por duam të na bëjë rrugën siç na ka premtuar, ndaj dhe jemi këtu, ai duhet të mbajë premtimin që na dha kur u zgjodh kryetar”, shprehet ai.

Nuk kanë më mundësi ekonomike për ta mirëmbajtur më rrugën sic kanë bërë deri tani me mjete primitive.

“Rrugën e mirëmbajmë me lopata dhe kazma dhe e rregullojmë pak a shumë”, tregon ai.

Këta banorë kanë probleme dhe me rrjetin e amortizuar të energjisë.

“Duhen tela dhe shtylla të reja sepse një erë e vogël të jetë, telat bien në kokat tona dhe askush s’mban përgjegjësi”, shprehet ai.

Pasi nuk takuan asnjë nga pushtetarët vendorë indinjata e tyre u shtua dhe më shumë.

“Kush do që të vijë këtu dhe të kërkojë një mandat ta dinë mirë se nëse nuk bëhet rruga, nuk do hapet as fushatë për votime. Këtu do mbyllët çdo gjë”, thotë një tjetër banor./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!