Maya Margit , The Jerusalem Post
Një ekip studiuesish të udhëhequr nga shkencëtarët në Universitetin e Tel Aviv kanë deklaruar se ata mund të kenë zbuluar “thembrën e Akilit” të qelizave kancerogjene , të cilat mund të çojnë në zhvillimin e një grupi krejtësisht të ri të ilaçeve dhe trajtimeve të kancerit në të ardhmen.
Dr. Uri Ben-David në Universitetin e Tel Aviv, i cili udhëhoqi kërkimin, tha për The Media Line se shkencëtarët kanë qenë në dijeni për më shumë se një shekull që qelizat malinje kanë një numër jo normal të kromozomeve.
Njerëzit kanë 46 kromozome (dy grupe me 23) por në momentin që sëmuremi me kancer ky numër ndryshon sepse, gjatë ndarjes qelizore, bëhet ndarja e kromozomeve që mund të çojë në një fenomen të quajtur aneuploidi.
Aneuploidia, është prania e një numri anormal të kromozomeve në një qelizë, që jo vetëm që shkakton çrregullime të zakonshme gjenetike, por është gjithashtu një shenjë dalluese e qelizave kancerogjene.
Jo të gjitha kanceret shfaqin aneuploidi, por afërsisht 90% e tumoreve dhe 75% e kancereve të gjakut shfaqin, në një shkallë të caktuar.
Sipas Ben-David, zbulimet hapin një rrugë krejtësisht të re për kërkimet mjekësore.
Për dekada, ne jemi përpjekur të kuptojmë pse [aneuploidia] zhvillohet në kancer dhe si ajo kontribuon në formimin dhe përparimin e tumorit”, tha Ben-David.
Më e rëndësishmja, tha ai, shkencëtarët janë përpjekur të shohin “nëse mund të përfitojmë nga ky ndryshim unik midis qelizave të kancerit dhe qelizave normale në mënyrë që të vrasim në mënyrë selektive qelizat e kancerit”.
Studimi, i cili u botua në revistën shkencore Nature u krye në laboratorin e Ben-David në Universitetin e Tel Aviv në bashkëpunim me gjashtë laboratorë të katër vendeve të tjera – Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Holanda dhe Italia.
“Vizioni i përgjithshëm këtu është që duke kuptuar se si qelizat aneuploide janë të ndryshme nga qelizat normale dhe duke zbuluar thembrën e Akilit të qelizave aneuploide, kjo mund të jetë një mënyrë për të vrarë në mënyrë selektive qelizat e kancerit”, tha Ben-David.
Studiuesit morën në shqyrtim rreth 1.000 kultura të qelizave kancerogjene nga pacientët dhe i studiuan në një laborator duke përdorur metoda të përparuara bioinformatike në mënyrë që të përcaktojnë sasinë e shkallës të aneuploidisë.
Pasi u konstatua shkalla e paqëndrueshmërisë kromozomale të qelizave kancerogjene, shkencëtarët më pas ekzaminuan dhe krahasuan ndjeshmërinë e tyre me ilaçe të ndryshme.
Shkencëtarët zbuluan se qelizat kancerogjene aneuploide ishin shumë të ndjeshme ndaj mitozës- një mekanizëm qelizor që siguron ndarjen e duhur të kromozomeve gjatë ndarjes së qelizave.
Sigurisht që ka nevojë për më shumë studime, por për momentin, disa ilaçe që pengojnë ose vonojnë ndarjen e kromozomeve janë ende duke u studiuar në prova klinike, por studiuesit nuk kanë qenë në gjendje të identifikojnë se cilët pacientë do të reagonin ndaj tyre.
Studimi i Ben-David sugjeron që aneuploidia mund të ndihmojë shkencëtarët të përcaktojnë reagimin e një individi ndaj këtyre ilaçeve.
Për më tepër, kjo mund të çojë në zhvillimin e trajtimeve më efektive të kancerit në të ardhmen, pasi që mjekët mund të testojnë për aneuploidi dhe të japin trajtimin e duhur në lidhje me rrethanat.
Dr. Yael Cohen-Sharir, i Departamentit të Universitetit të Tel Aviv-it për Gjenetikën Molekulare të Njeriut dhe Biokiminë, është autori kryesor i studimit. Cohen-Sharir, i cili menaxhon laboratorin e Ben-David, e quajti hulumtimin novator.
“Aneuploidia është shumë e vështirë për t’u studiuar,” tha ajo për The Media Line. “Ndikon kaq shumë gjen në të njëjtën kohë”.
Cohen-Sharir theksoi se studimi aktual është kryer në kulturat e qelizave dhe jo në tumoret aktuale, dhe se nevojiten studime të tjera.
Hapi tjetër për studiuesit është përpjekja për të testuar zbulimin e tyre tek minjtë.
Sa i përket Ben-David, ai është optimist se shfrytëzimi i karakteristikave unike të aneuploidia-s përfundimisht mund të çojë në kurën për shërimin e kancerit: një mënyrë për të vrarë qelizat malinje pa dëmtuar qelizat e shëndetshme në trup.
“Vrasja e qelizave kancerogjene është shumë e lehtë: Mund të hidhni një lëndë kimike mbi to dhe ato do të vdesin, por pjesa e vështirë është ta bësh pa vrarë qelizat normale,” tha ai.
Ben-David ka deklaruar gjithashtu se kjo është hera e parë që aneuploidia vlerësohet sistematikisht në qelizat e kancerit të njeriut.
“Kjo është arsyeja pse është një përparim i madh,” tha ai. Përktheu Sonila Backa/abcnews.al