Përgjimet e Ndranghetas, Çela: Askush nuk i pengon prokurorët të hetojnë

schedule14:03 - 28 Janar, 2021

schedule 14:03 - 28 Janar, 2021

Kryeprokurori Olsian Çela u shpreh para gazetarëve se askush nuk i pengon prokurorët që të nisin hetimet në Shqipëri në lidhje me përgjimet e Ndranghetas, ku dolën emrat e disa zyrtarëve të lartë në vend.

Çela tha se është detyrë e çdo prokurori që të jetë i përgjegjshëm përpara ligjit. Gjithashtu gjatë fjalës së mbajtur më herët, ai tha se pavarësia e prokurorëve është garanci për sistemin.

Gjithashtu ai u pyet për përgjimet e “Ndranghetës” për të cilat theksoi se prokurorët janë të pavarur dhe se askush nuk i pengon ata që të nisin hetimet.

“Sot garancia më e madhe që i është dhënë sistemit është pavarësia e prokurorëve dhe askush nuk mund t’i pengojë drejtuesit e prokurorisë të nisin hetimit për çështjet që janë në kompetencën e tyre vendore dhe tokësore.

Besoj që përtej garancisë që i është dhënë prokurorëve unë vlerësoj se sot sistemi i prokurorisë ka nevojë për rregullime të vogla ligjore që do të krijonte balancat e duhura me institucioneve. Vlerësoj se kolegjialiteti që ka sot prokuroria në administrim dhe fragmetarizimi i prokurorisë i krijon një dobësim në mënyrën se si funksionon. Detyra e çdo prokurori është të jetë i përgjegjshme përpara ligjit”, tha ai në një komunikim për mediat.

Fjala e plotë e kryeprokurorit Olsian Çela në mbledhjen e përgjithshme të prokurorëve.

Do të doja që t’ju drejtohesha në sallën ku do të mblidheshim për të zhvilluar normalisht mbledhjen e përgjithshme të prokurorëve për zgjedhjen e anëtarëve tanë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, por situata e pandemisë e bëri të pamundur këtë, e ndërkohë e shikoj si të domosdoshëm organizimin periodik të takimit të të gjithë prokurorëve, për të diskutuar mbi problemet e institucionit, për të shkëmbyer ide dhe propozuar zgjidhje.

Zgjedhja e anëtarëve prokurorë të KLP-së, ka një rëndësi të veçantë, pasi ju mundëson të vendosni përfaqësuesit tuaj në organin i cili duhet të garantojë zhvillimin normal e meritokratik të karrierës, ndaj ky duhet të jetë një moment reflektimi mbi vetë thelbin e asaj se çfarë duhet të përfaqësojë ky këshill në raport me jetën tuaj profesionale.

Hap pas hapi organet e reja të drejtësisë po marrin formën e tyre, por nuk është kjo sfida e vërtetë. Ne duhet të sigurojmë që veprimtaria e tyre të mbështetet në vlera si integriteti, transparenca, meritokracia dhe llogaridhënia.

Nëse nuk do të arrinim këtë, dështimi i kësaj reforme që po merr kaq energji e sakrifica do të jetë i sigurt. Përtej zgjedhjes së kandidatëve që mbartin vlerat më të mira, ka ardhur koha që vetë ju të  ndërtoni një marrëdhënie të re me këto institucione, me një qasje dinamike konstante, të bazuar në transparencën dhe llogaridhënien. Ende nuk ndihet aktiviteti i asnjë organizimi profesional të prokurorëve, që të përfaqësojë seriozisht interesat tuaja e t’i mbrojë ato në mënyrë aktive.

Ky pasivitet nuk i shërben ndërtimit të një ekuilibri të shëndetshëm në marrëdhëniet mes atyre që marrin vendime për magjistratët dhe vetë magjistratëve. Për këto arsye, mos e kufizoni marrëdhënien tuaj me këshillin në ato pak ditë që ju kërkohet të votoni, por vlerësojeni si një angazhim serioz të vazhdueshëm, si një kontribut thelbësor ndaj të ardhmes suaj profesionale dhe drejtësisë.

Ne kaluam një vit shumë të vështirë, në të cilin pandemia krijoi probleme të mëdha në funksionimin e zyrave të prokurorisë. Megjithatë puna vazhdoi dhe ju e përballuat më së miri këtë situatë të jashtëzakonshme. Kjo tregon për vlerat humane dhe profesionale që ka brenda sistemit të prokurorisë, i cili për fat të keq është prekur nga largimet jo të pakta në kuadër të procesit të rivlerësimit kalimtar. Një pjesë e madhe e juaja ende përballet me këtë proces aspak të lehtë, dhe unë dua të falënderoj gjithsecilin prej jush që gjen ndërkohë forcën dhe kurajon për të kryer me përgjegjshmëri e integritet detyrën si prokuror!

Kolege dhe kolegë!

Forcimi i pavarësisë së prokurorëve, mirëfunksionimi i zyrave dhe rritja e efikasitetit të punës në çdo prokurori në drejtim të hetimit dhe ndjekjes penale kanë qenë në fokus të masave që kemi marrë këtë vit.

  • Marrëveshja me Policinë e Shtetit, për mënyrën e trajtimit të një pjese të materialeve kallëzuese, e shoqëruar edhe me udhëzimin përkatës që hyri në fuqi këtë fillimviti, i jep zgjidhje një problemi të mbartur prej vitesh, pasi do të sjellë uljen e referimeve nga ana e policisë dhe lehtësimin e punës tuaj. Kjo marrëveshje dëshmon një marrëdhënie shumë pozitive me Policinë e Shtetit, të bazuar tek profesionalizmi dhe transparenca. Ajo  është provë e pjekurisë institucionale, me një qasje koherente që e vë theksin tek bashkërendimi i strategjive.

 

  • Në muajin korrik të vitit 2020, u miratua udhëzimi për normimin e marrëdhënieve mes drejtuesve dhe prokurorëve në zyrat e prokurorisë, me qëllim garantimin e pavarësisë e prokurorëve përmes rritjes së transparencës në marrëdhëniet brenda zyrave. Kjo do i japë fund mundësisë së aplikimit të praktikave arbitrare  dhe do të rrisë përgjegjshmërinë e magjistratëve.  Funksionimi i regjistrit të qarkullimit të brendshëm të akteve nuk është një hallkë burokratike më tepër, përkundrazi, është instrumenti që do të garantojë ligjshmërinë e marrëdhënieve mes drejtuesit dhe prokurorëve. Për të lehtësuar këtë proces, shtatë prokurorive të mëdha u është shtuar edhe stafi administrativ.Përmes standartizimit të marrëdhënieve në shkallë vendi, udhëzimi garanton për drejtuesit aksesin në informacion brenda atyre kufijve që parashikon ligji për prokurorinë, me synim krijimin e kohezionit dhe uniformizimin e praktikave në funksionimin e zyrave. Ky udhëzim synon të rrisë përgjegjshmërinë dhe të nxisë pjesëmarrjen aktive të drejtuesve, përmes marrjes së informacionit dhe nxjerrjes së udhëzimeve jo të detyrueshme.

 

  • Një masë tjetër e marrë për garantimin e pavarësisë së prokurorit janë ndryshimet në rregulloret e brendshme të funksionimit të zyrave, që lidhen me krijimin e seksioneve dhe lëvizjen e prokurorëve në to. Ndryshimet garantojnë zhvillimin normal të jetës suaj profesionale, duke i dhënë prioritet qëndrueshmërisë dhe specializimit, ndërkohë që mundësia e lëvizjes nga seksionet lejohet vetëm mbi kritere objektive. Ato do të mbrojnë prokurorët nga arbitrariteti që mund të mbartin vendimet për ndryshimet e seksioneve apo lëvizjet e prokurorëve në to.

Nga të dhënat e para që po mbledhim këtë fillim viti,  konstatojmë se mund të ketë probleme të zbatimit të udhëzimeve  të Prokurorit të Përgjithshëm, ndaj do të nisim një proces të gjerë mbikëqyrje përmes sektorit të monitorimit. Në këtë kuadër, është prioritet bashkërendimi i punës më Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, me të cilin shumë shpejt do të nënshkruajmë një marrëveshje për forcimin e bashkëpunimit. Por, vlen të theksohet se pa një kontribut aktiv nga ana juaj, çdo proces që synon të garantojë respektimin e pavarësisë  do të mbetej i paplotë dhe nuk do të jepte rezultatet e dëshiruara. Sigurimi i pavarësisë nis së pari nga vetë prokurorët, nga qasja që ju keni në këtë drejtim. Një prokuror që lejon t’i nëpërkëmbet dinjiteti profesional dhe pavarësia, nuk mund të jetë kurrsesi i aftë t’i shërbejë drejtësisë. Prokurori i Përgjithshëm do të jetë mbështetësi juaj, por përpjekja ime do të ishte e pavlerë nëse ju vetë nuk silleni e veproni si të tillë!

Mbetet i nevojshëm sigurimi i lidhjes organike efektive mes zyrave të prokurorisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme, në kuptim të ushtrimit të detyrave ligjore dhe kushtetuese, ndërkohë që angazhimet institucionale në kuadër të rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë, rekomandimeve  të Këshillit të Ministrave për luftën ndaj kriminalitetit apo bashkëpunimit me homologë apo organizma të tjerë ndërkombëtarë kërkojnë një nivel më të lartë kohezioni institucional. Kolegjialiteti në administrimin e prokurorisë, fragmentarizimi i saj në trajtën e një bashkimi entitetesh autonome përmes dobësimit të lidhjes së hallkave në planin vertikal, që nuk siguron një llogaridhënie efektive në aspektin e drejtimit dhe menaxhimit të zyrave, dobëson funksionalitetin e saj.

Prokuroria nuk mund të ndërtohet dhe të funksionojë si një gjykatë për vetë natyrën dhe kompetencat e saj. Ndihet nevoja për një prokurori solide në aspektin organizativ, me fizionomi të qartë të mekanizmave vendimmarrëse dhe  zbatimit të tyre në mënyrë të bashkërenduar, duke pasur në themel pavarësinë procedurale të prokurorëve, ndaj çmoj se ka nevojë të bëhen përmirësime në disa ligje me qëllim arritjen e këtij objektivi.

Vitin që kaloi Prokuroria e Përgjithshme mori masa konkrete në drejtim të forcimit të kapaciteteve në luftën ndaj krimit financiar, pastrimit të produkteve të veprës penale dhe goditjes së aseteve kriminale, duke bashkërenduar punën me të gjithë institucionet përgjegjëse. Memorandumi i nënshkruar u shoqërua me masa konkrete në nivel organizativ, që mundësojnë rritjen e efikasitetit të hetimeve në të gjitha fazat. Mbetet përgjegjësia juaj arritja e rezultateve pozitive, të cilat janë veçanërisht të rëndësishme për proceset integruese që po kalon vendi.

Dhuna në familje mbetet një nga plagët e shoqërisë shqiptare, ndaj janë ndërmarrë disa masa institucionale që synojnë përmirësimin e efektshmërisë së punës sonë. Ndjekja e udhëzimit të sapodalë për këtë qëllim, nisja e një serie trajnimesh për prokurorët, o.p.gj. dhe koordinatorët e viktimave, ashtu si dhe një bashkërendim institucional i masave, do të përbëjnë bazën mbi të cilën prokurorët do të veprojnë. Kjo patjetër kërkon një angazhim serioz dhe forcim të kapaciteve institucionale, që do të mbështetet nga ana jonë gjatë këtij viti.

Ky është një vit zgjedhor dhe nisur nga përvoja e viteve të mëparshme, ka nevojë për një angazhim serioz të të gjitha prokurorive, të cilat duhet të nisin të marrin masa përgatitore për t’ju përgjigjur në kohë nevojave që do të lindin për hetimin e veprave penale në këtë fushë. Nga ju kërkohet një nivel i lartë profesionalizmi dhe integriteti. Ndryshimet e fundit ligjore imponojnë vëmendjen maksimale të drejtuesve të prokurorive në këtë drejtim dhe sigurimi i kapaciteteve e shkëmbimi në kohë i informacionit mbeten thelbësorë për kryerjen si duhet të funskionit tonë gjatë procesit zgjedhor.

Duhet të jetë në vëmendjen tuaj hetimi efikas i rasteve të shpërdorimit të fondeve publike, përmes keqadministrimit apo korrupsionit, ndaj në këtë kuadër, të merren masat e duhura nga drejtuesit dhe prokurorët në mënyrë që memorandumi i nënshkruar me Kontrollin e Lartë të Shtetit për forcimin e bashkëpunimit të sjellë rezultate të dukshme.

Forcimi i marrëdhënieve të prokurorive të juridiksionit të zakonshëm me Prokurorinë e Posaçme mbetet thelbësor në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Akti i koordinimit institucional i nënshkruar në fund të vitit 2020 përbën një bazë të mirë në këtë drejtim, ndërkohë që nuk duhet harruar se në morinë e mijërave hetimeve që kryeni çdo vit, do të gjeni jo pak herë elementë të korrupsionit apo krimit të organizuar, për të cilat duhet të bashkërendoni punën me Prokurorinë e Posaçme. Është e rëndësishme që i gjithë sistemi i prokurorisë të ketë në fokus këto çështje dhe zyrat e prokurorive të rretheve gjyqësore t’i japin tërë mbështetjen e duhur asaj, përmes hetimeve profesionale dhe bashkëpunimit të ngushtë.

Përtej problemeve që ngrita, nuk duhet të harrojmë asnjëherë se qytetarët nuk kanë nevojë të dëgjojnë shqetësimet tona, përkundrazi, ata presin nga prokurorët që t’i shërbejnë me profesionalizëm dhe përkushtim mbrojtjes së interesit publik. Ne kemi sot të gjitha garancitë ligjore për karrierën ndërkohë që mbështetja e konsiderueshme financiare për magjistratët është një sakrificë që shoqëria po bën në emër të sigurimit drejtësisë, ndaj askush prej nesh nuk duhet të rizhgënjejë qytetarët e këtij vendi. Kjo është sfida jonë dhe ne kemi detyrimin t’i rikthejmë qytetarëve besimin tek drejtësia, përmes kryerjes me përgjegjshmëri dhe integritet të funksioneve ligjore e kushtetuese, duke i dhënë në këtë mënyrë dinjitetin e humbur figurës së prokurorit.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!