Skënderbeu u dënua tre vite më parë për trukim ndeshjesh. Klubi korçar e pësoi rëndë nga UEFA. Komisioni i Etikës dhe Disiplinës në UEFA ka vendosur që të pranojë kërkesën e inspektorëve për të dënuar ekipin e Skënderbeut me 10 vite përjashtim nga kompeticionet europiane dhe me 1 milion euro gjobë, pasi akuzohet për fiksimin e mbi 50 ndeshjeve.
lacote.ch raporton se një ish-deputet shqiptar është paraqitur më 26 janar në Nion të Zvicrës për të ngritur padi ndaj dy ish-inspektorëve të UEFA-s për shpifje dhe prishje të imazhit. Këta të fundit hartuan raportin për akuzat ndaj Skënderbeut.
Portali helvet nuk përmend emra, teksa Panorama Sport raporton se bëhet fjalë për Ridvan Boden, ish-ministrin e Financave, dhe një biznesmen shqiptar, i cili ka qenë afër klubit korçar. Këta dy persona ishin përmendur në raportin e përpiluar nga dy ish-inspektorët për trukim ndeshjesh, teksa tani kanë ngritur akuza për shpifje. /abcnews.al