Ryshfet për lejet e legalizimit, SPAK arreston kreun e Kadastrës së Beratit

schedule19:36 - 26 Janar, 2021

schedule 19:36 - 26 Janar, 2021

Kreu i Kadastrës së Beratit Ervin Nelaj është arrestuar me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, pasi akuzohet për korrupsion. Arrestimi i tij ka ardhur pas finalizimit të operacionit “Aluizni”,  nga Drejtoria Vendore e Policisë Berat dhe SPAK, pas një hetimi 9-mujor.

Nelaj dyshohet se gjatë ushtrimit të detyrës ka përvetësuar shuma parash nga persona të ndryshëm, me qëllim pajisjen e tyre me dokumentet e lejes së legalizimit.

Në kuadër të hetimeve paraprake të këtij procedimi penal, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë,  të Gjykatës Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, është vendosur masa “arrest me burg”, ndaj kreut të Kadastrës. Shërbimet e policisë në Berat kanë ekzekutuar këtë urdhër-arrest sot.

Nelaj akuzohet për “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer në bashkëpunim.

Njoftimi i plotë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Aluizni”, për goditjen e korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike.

Operacioni nga Drejtoria Vendore e Policisë Berat dhe SPAK-u.

Pas një hetimi 9-mujor u finalizua operacioni policor i koduar “Aluizni”, në kuadër të të cilit u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasin E. N., 38 vjeç, banues në Berat, me detyrë drejtor i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Drejtorinë Rajonale Berat.

Ky shtetas dyshohet se gjatë ushtrimit të detyrës ka përvetësuar shuma parash nga persona të ndryshëm, me qëllim pajisjen e tyre me dokumentet e lejes së legalizimit.

Vijon puna për dokumentimin ligjor të plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari korruptive.

g.v/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!