Nga Ha Hellyer, Politico.eu
Dhjetë vjet pas fillimit të kryengritjeve revolucionare të “Pranverës Arabe”, shumë njerëz në rajon po pyesin nëse gjërat thjesht kanë ndryshuar disi apo janë rikthyer aty ku ishin para rebelimeve. Egjipti, vendi ku shpërthyen protestat më 25 Janar 2011, pa rënien e eksperimentit të tij demokratik nëmë pak se 2 vjet më vonë.
Dhe ndërsa Tunizia, vendi ku nisi rebelimi i parë, mund të ketë hyrë drejt demokracisë, në vendin fqinj Libia është zhytur në një luftë civile, ashtu si Siria dhe Jemeni. Disa analistë mund të tundohen ta cilësojnë këtë dukuri si “tipike të Lindjes së Mesme”.
Por ekziston edhe një mënyrë tjetër për të parë atë që ka ndodhur. Një qasje që është e lidhur pazgjidhshmërisht me Evropën, historinë e saj koloniale dhe politikën e saj të jashtme sot. Si një njeri i jashtëm – pra si dikush që është edhe një evropian nga ana e babait të tij për shumë breza, dhe një arab nga nëna e tij për më shumë kohë -them se lufta për demokraci ishte pranë shtëpisë së paraardhësve të mi.
Sidomos kryengritjet arabe ishin pasoja e pashmangshme e dështimit themelor të elitave post-koloniale të rajonit, për të çmontuar strukturat shtetërore që lanë pas evropianët pas sipërmarrjes së tyre koloniale.
Strukturat shtetërore të shtetit-komb kolonial, ishin ndërtuar qartazi për t’i shërbyer interesave të elitave evropiane, që ato të sundonin mbi popullatat e pafuqishme. Megjithatë, kur u larguan kolonistët, sistemet nuk u çmontuan, dhe as nuk u reformuan për t’i shërbyer popullit të sapoçliruar.
Për pasojë, strukturat shtetërore, mënyrat përmes së cilave qeverisin ato, shumica e ligjeve dhe sistemeve të kontrollit që mbetën në fuqi, ishin gjithashtu të projektuara që prej kohërave koloniale:për të siguruar kontroll, dhe jo fuqizim të qytetarit.
Shumë analistë në Perëndim, i cilësojnë marrëdhëniet midis udhëheqësve të botës arabe dhe qytetarëve të tyre, si një autoritarizëm i huaj. Në fakt, ato janë trashëgimi e rregullave koloniale evropiane. Përveç strukturave shtetërore të shkatërruara të botës arabe, ekzistonte një faktor tjetër i rëndësishëm që i nxiti kryengritjet:demografia.
Sistemet koloniale u krijuan enkas për të keq-qeverisur mbi një demografi specifike. Ato nuk u krijuan për të mos ndjekur fare ndryshimet demografike,dhe në 20 vitet e fundit rajoni ka parë një transformim demografik në një shkallë të gjerë, të cilin edhe sistemi më i fortë shtetëror do t`a kishte të vështirë t`a menaxhonte.
Sistemi kolonial u krijua në mënyrë strukturore që të garantonte që shpërndarja e pasurisë të ishte kryesisht në favor të shtresës së lartë të shoqërisë. Dhe funksionoi. Edhe kur popullata u rrit shumë më shumë, elita u bë më e pasur – jashtëzakonisht e pasur – ndërsa shumica e varfër u varfërua edhe më shumë.
Kombinojeni këtë me pazarin e vazhdueshëm autokratik të elitave post-koloniale:“mos nxisni zgjerimin e lirive politike, pasi ne jemi mbrojtësit tuaj kundër terrorizmit dhe kaosit”, dhe ja ku keni një recetë për të shkuar drejt katastrofës.
Kryengritjet arabe ishin kryesisht një valvul sigurie që thjesht po vihej në përdorim. Presioni po rritej, dhe këto kryengritje mund të kishin qenë shumë lehtë një mënyrë relativisht pa dhimbje për të shtypur, të paktën pjesërisht, “butonin” e ndryshimit.
Edhe reformat serioze më modeste, mund të sillnin cilësimin e këtyre autokratëve si heronj të kombeve të tyre. Përkundrazi, autokratët dhe diktatorët zgjodhën një rrugë tjetër. Kur marrim në analizë rezultatin e kryengritjeve, nuk duhet t’i fajësojmë protestuesit revolucionarë për trazirat.
Ata nuk u vendosën kurrë në pozita pushteti, që të mund të ndryshonin në një mënyrë a tjetrën rezultatin e revolucioneve. Faji qëndron tek të tjerët, si Hosni Mubarak i Egjiptit, Bashar Al-Assad i Sirisë, dhe Muammar Gaddafi i Libisë. Nga të gjithë ata që mund të kishin marrë vendime me rëndësi jetike, ata patën ndikimin më të madh të mundshëm.
Në një vend ku strukturat shtetërore koloniale po shtypin vullnetin e një shumice në rritje, sundimtarët kanë 2 mundësi. Njëra është të hapen, ngadalë ose jo, dhe të nisin detyrën e gjatë e të mundimshme të ndërtimit të shteteve që janë të qëndrueshme në shekullin XXI, dhe që përfshin një siguri gjithëpërfshirëse (dhe të drejta themelore) për popullatat e tyre.
Opsioni i dytë është të vendoset një hapje e vogël,që do të thotë se kaosi do të pasojë, dhe se popullata do të kërkojë më shumë. Dhe meqë ky konsiderohet si një opsion jo i favorshëm, opsioni për sundimtarët është i thjeshtë:Shto kontrollin sa më shumë që të jetë e mundur, dhe shtyp çdo lloj kundërshtimi.
Për diktatorët problemi është se opsioni i dytë vetëm sa vonon të pashmangshmen. Rezultatet e vetme të mundshme janë degradimi i ngadaltë, i vazhdueshëm ose më shumë përmbysje në të ardhmen. Ndërsa po mbërrin 10-vjetori i kryengritjes,është koha të pyesim:Cila është mënyra më e mirë për të ecur përpara?
Rajoni është me një rëndësi të madhe gjeopolitike, sidomos për fqinjët e tij evropianë. E ndërthurur me luftërat e saj të ndryshme civile, ajo është shtëpia e të paktën 2 garave gjeopolitike ndërkombëtare në vazhdim, me një ndikim vdekjeprurës dhe tejet destabilizues.
Konflikti rajonal midis Iranit dhe Arabisë Saudite është një luftë e gjatë, që nuk i sjell asnjë dobi popujve të Jemenit, Irakut dhe Libanit, vende në të cilat po zhvillohet kryesisht ky konflikt. Lufta tjetër është më e re.
Nga njëra anë, Egjipti, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe po tentojnë të ruajnë statuskuonë, pra të mbajnë larg forcat islamike të stilit të Vëllazërisë Myslimane, dhe të forcojnë akoma më shumë ndikimin e tyre rajonal. Kundër tyre është aleanca Turqi-Katar, që synon të zgjerojë më tej ndikimin e saj në rajon.
Gara mes të dyja grupimeve nuk po i sjell asnjë dobi nevojës për të forcuar qeverisjen e mirë apo përkrahjen e të drejtave themelore. Atëherë,çfarë duhet bërë? Përgjigja qëndron tek një pjesë tjetër e historisë evropiane të kohëve të fundit:vendosja e një rendi ndërkombëtar të bazuar në rregulla.
Sigurisht, sirianët, jemenasit dhe palestinezët, sa për të përmendur disa prej tyre, do të vërejnë se nuk kanë përfituar ndërkombëtarët nga ky rend“i bazuar në rregulla”. Por sidoqoftë pikërisht tek ai sistem, vazhdojnë të mbajnë shpresat e tyre më të mira, për të shmangur katastrofën e mëtejshme në rajon.
Mjerisht, shtetet kryesore të bllokut perëndimor kanë qenë të kënaqur t`a injorojnë ligjin ndërkombëtar kur u ka leverdisur, përfshirë këtu edhe marrëdhëniet e tyre me rajonin. Kjo është e vërtetë edhe në vende si Jemeni, edhe pse administrata e ardhshme e Biden ka sinjalizuar se marrëdhënia e SHBA-së me Arabinë Saudite është gati të ndryshojë.
Dhe kjo gjë është gjithashtu e vërtetë në marrëdhëniet evropiane me vende si Siria, Iraku dhe Libia, ku Franca dhe Italia janë lojtaret kryesor në konflikt. Ne në Evropë dhe në Perëndim në përgjithësi, e kemi të lehtë të ankohemi për gjendjen e botës arabe. Por nëse ne nuk e mbështesim vetë ligjin ndërkombëtar në marrëdhëniet dhe angazhimet tona me elitat politike të rajonit, për këtë duhet të fajësojmë vetëm veten tonë. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al