“Mirënjohje për Deden”, Halili: Hafizin e hedhin nga Buna, djalin ma përgojojnë

schedule19:43 - 25 Janar, 2021

schedule 19:43 - 25 Janar, 2021

Largimi i Nevil Dedes është tema e momentit te Tirana. Trajneri u largua pak para fillimit të ndeshjes së sotme shtëpiake ndaj Laçit, teksa u shpreh se dha dorëheqjen. Në lidhje me këtë temë ka reaguar për Supersport edhe Refik Halili, presidenti i kampionëve në fuqi.

“E para, e falënderoj Nevilin për korrektësinë dhe të vërtetën që ai tha.  Çdo gjë është për të mirën e skuadrës, që të ecë para. Familja bardheblu është e para. Kam thënë më parë që do i kërkoj skuadrës pesë lojtarë të akademisë. Sot në ekipin tonë, që është një lajm shumë i keq, ose shumë i mirë, kërkesat për Muçin, Ismajlgecin dhe Çelhakën, kanë qenë lumë.

Kam rezistuar deri tani. Gjithsesi na duhen rezultate. Jam i kënaqur me trajnerin, pasi ka bërë çka mundur me grupin që ka pasur. Kemi edhe lojtarë të tjerë të akademisë, të mirë, por na duhen edhe rezultate. Nuk më shqetësojnë komentet, nuk kam bërë asnjë poshtërsi, nuk e kam shitur Tiranën.

Kur dëgjoj që ka njerëz që flasin sipas dëshirës, më vjen keq, sikur ndodhi me Hafizin. Jam treguar tolerant me shumë trajnerë. Kam bashkëpunuar me Hafizin dhe e kemi ruajtur respektin. Jam tolerant, e kam treguar edhe me Mirel Josën, Starovën e të tjerë. Është punë.

Rezultatet të detyrojnë që të bësh edhe ndryshime. Kur dëgjoj Hafizin që flet, i cili ka një jetë që punon, të shqetësojë familjen time, duke përmendur djalin tim në emision. Hafizit i uroj që nipërit të bëhet mbretër dhe të mos e ketë fatin ta përgojojnë. Hafizin e njoh shumë mirë, që nuk e lënë as të kalojë urën e Bunës. E hedhin poshtë. Dalin ca njerëz, që kanë humbur. Matraxhiu, çfarë lidhje ka me futbollin! Një anonim.

Sa i takon Nevilit, do i jem mirënjohës dhe do bashkëpunoj në të ardhmen. Njerëzit që flasin për djalin tim janë të mirë paguar nga të tjerët. Djali im është shembullor dhe nuk hiqet se është djalë i presidentit. Unë kërkoj që Grentin ta trajtoni si të gjithë. Gruaja më ka thënë se je i vetmi baba, që s’punon në favor të fëmijës. Unë nuk hyj te trajneri në lidhje me aktivizimin.

Unë nëse dua e marr djalin dhe e mbaj në krahun tim e të mos ketë nevojë të luajë futboll. Por ai e ka pasion dhe dëshiron të luajë. Por mua nuk më intereson nëse luan ai, e rëndësishme është Tirana. Kemi skuadër shumë të mirë dhe 6-7 lojtarë të ekipit kombëtar.

Shtohen fondet dhe do i përdorim. Jemi 7 pikë larg vendit parë, kështu e shikoj unë si Refik Halili. Kampionati është i gjatë dhe shpresoj të ecim përpara. Do punojmë dhe do jemi të kujdesshëm. Nuk jam në gjendje të përcaktoj, por do mendohem, do ta shikoj dhe do vendosim për trajnerin e ri”, përfundoi Halili. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!