Dhoma e Përfaqësuesve do të dërgojë të hënën në Senat akuzën zyrtare kundër ish-Presidentit Donald Trump. Trump akuzohet se ka nxitur dhunë gjatë protestave të 6 janarit kur turma u fut me forcë në ndërtesën e Kongresit amerikan. Materiali në vazhdim shqyrton arsyet se pse demokratët po i mëshojnë procesit për të dënuar Trump edhe pse tashmë ai e ka mbaruar mandatin.
Një javë pasi mijëra mbështetës të Donald Trump u futën me dhunë në Kapitolin amerikan me 6 janar, Dhoma e Përfaqësuesve votoi për ngritjen e akuzave kundër tij. Të hënën Dhoma e Përfaqësueve i dërgon Senatit akuzën se ish-presidenti nxiti protesta të dhunshme që rezultuan me sulmin në Kapitol.
Senati do të zhvillojë gjyqin për të gjetur fajtor ose jo Trump. Republikanët thonë se demokratët po nxitojnë me procesin. Mitch McConnell është udhëheqës i pakicës republikane në Senat.
“Dhoma e Përfaqësuesve e filloi procesin me një shpejtësi të paparë dhe procedurë tepër minimale. Senati nuk mund të ofrojë një gjyq të cunguar që i mohon ish-Presidentit Trump proces të rregullt, ose përndryshe kjo do të dëmtonte Senatin dhe vetë presidencën.”
Ndërsa Presidenti Joe Biden theksoi mesazhin e unitetit në fjalimin e inaugurimit, presioni i demokratëve për dënimin e Trump po kritikohet si hipokrizi, një akuzë e hedhur poshtë nga Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, demokratja Nancy Pelosi.
“Të thuash le ta harrojmë atë që ndodhi, nuk është diçka që i bashkon palët.”
Ekspertët ligjorë nuk pajtohen nëse Sentati mund të gjejë fajor ish- Presidentin. Por me epërsinë e vogël që kanë demokratët, gjykimi ka gjasa të vazhdojë.
Që të shpallet fajtor Trump kërkohet një votim i shumicës prej dy të tretash, që do të thotë të 50 senatorët demokratë dhe të paktën 17 senatorë republikanë.Aziz Huq është profesor i së drejtës kueshtetuese në Universitetin e Çikagos.
“Një nga pasojat e gjetjes fajtor mund të jetë skualifikimi për poste të ardhshme. Mendoj se qëllimi i demokratëve është dërgimi i mesazhit për futjen me dhunë në Kapitol me 6 janar dhe së dyti, për t’u siguruar që Trump nuk mund të konkurrojë për post publik.”
Trump ka lënë të kuptohet se mund të kandidojë përsëri në vitin 2024.
“Ju duam shumë. Do të kthehemi në një mënyrë.”
Meqenëse Trump nuk u hoq deri sa i mbaroi mandati, ai gëzon privilegje, përfshirë pensionin, fonde për zyrën dhe punonjësit dhe mbrojtje nga Sherbimi Sekret. Por kjo mund të ndryshojë nëse demokratët ndryshojnë ligjin për ish-presidentët nëse Trump shpallet fajtor.
Ndërsa Biden tha se po e lë çështjen e Trump në duart e Kongresit, ai dëshiron të sigurohet se kjo nuk do të ngadalësojë procesin e konfirmimit të kabinetit të tij nga Senati.
“Sa më shpejt të fillojmë nga puna përballë këtyre krizave, aq më mirë do të jetë”, tha Presidenti Biden.
Gjyqi ndaj Trump mund të nisë në fillim të shkurtit. Ai është i vetmi president amerikan ndaj të cilit janë ngritur akuza dy herë. Asnjë president tjetër nuk është gjykuar në Senat pas largimit nga detyra./VOA