Nga Eblina Mile
Situata e vështirë ekonomike dhe pasiguria për të ardhurat ka bërë që bankat tregtare të forcojnë standardet e kreditimit për bizneset në vend.
Sipas një vrojtimi të Bankës së Shqipërisë në tre muajt e fundit të 2020 u shtrënguan si kushtet ashtu dhe termat e kreditimit sidomos kjo për kreditë e reja akorduar bizneseve për investime. Sipas Bankës së Shqipërisë e njëjta tendencë pritet edhe gjatë muajve të parë të këtij viti.
Shtrëngimi i kushteve u arrit nëpërmjet reduktimit të madhësisë së kredisë, shtimit të kërkesës për kolateral në raport me kredinë e marrë, si edhe kushtëzimeve më të larta në marrëveshjet e kredive.
Më të prekura nga këto masa të bankave të nivelit të dytë duket se janë bizneset e vogla dhe të mesme. Kjo pasi të ardhurat e tyre janë goditur më shumë nga pandemia gjatë vitit që lamë pas.
Ndërkohë që nuk është vepruar në të njëjtën mënyrë për kreditimin e bizneseve të mëdha. Bankat kanë kërkuar më pak kritere në miratimin e kredive për bizneset e mëdha.
Kushtet më të përkeqësuara të ofertës për kredi, si edhe mungesa e kërkesës për kredi nga ana e bizneseve kanë pasur si faktor të përbashkët perceptimin për rrezikun lidhur me situatën aktuale ekonomike e perspektivën për të.
Më pozitive bankat janë treguar me kreditë e individëve si për blerje banesash po ashtu edhe ato konsumatore.
Kërkesa për kredi nga bizneset pritet të jetë e vakët në këtë fillim viti , nxitur nga kërkesat më të ulëta për kredi nga biznesi i vogël dhe nevojat më të pakta për financimin e investimeve. Ndërsa kërkesa për kredi nga ana individëve pritet të jetë disi më e lartë në tremujorin e parë, kryesisht në sajë të rritjes së pritur për kredinë konsumatore./abcnews.al