Pak orë para betimit të Joe Biden, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përgatitet një ceremoni e paprecedentë, nga shumë këndvështrime.
Do të jetë e para në kohë pandemie, dhe për këtë arsye me më pak se një mijë të ftuar në vend të 200 mijë që janë zakonisht. Por do të ketë dhe masa të ashpra sigurie. Uashington nuk do të jetë i papërgatitur si në 6 janar kur një turmë protestuesish të dhunshëm u futën në kongres.
Në kryeqytet aktivitetet janë mbyllur, përgjatë rrugës nuk do të ketë njerëz që festojnë por me mijëra flamuj që përfaqësojnë viktimat e koronavirusit.
200 agjentë policie kanë mbërritur nga New York për të sjellë përforcime në qytet. Autoritetet duan të shmangin skenat e dhunës të cilat u panë në ditën e ratifikimit të votës së zgjedhësve të mëdhenj.
Pas alarmit të dhënë nga FBI për rrezikun e terrorizmit të brendshëm, rojet Kombëtare do të vendosin në gatishmëri 25 mijë njerëz. Në të 50 shtete amerikane është dhënë alarmi për rrezik protestash të dhunshmE.
E paprecedentë prej 30 vitesh dhe vendimi i presidentit në largim për të mos marrë pjesë në ceremoninë e betimit të pasardhësit të tij. Në vend të Trump do të jetë zëvendësi i tij Mike Pence.
Donald Trump dhe bashkëshortja Melani do të merren gjatë asaj dite për të projektuar transferimin e menjëhershëm në rezidencën e Mar- a – Lago në Florida./abcnews.al