Trupat e Gardës nën shqyrtim nga FBI-ja, mes frikës nga sulme të brendshme

schedule20:56 - 18 Janar, 2021

schedule 20:56 - 18 Janar, 2021

Pjesëmarrësit në një provë për inaugurimin e Presidentit të zgjedhur Joe Biden u evakuuan të hënën nga krahu Perëndimor i Kapitolit me urdhër të zyrtarëve të sigurisë pas një zjarri që përfshiu një kamp të pastrehësh. Lajmi u njoftua nga zyrtarë në dijeni mbi çështjen.

Personat që morën pjesë në prova mes tyre dhe banda e ushtrisë, u detyruan të futen brenda kompleksit të Kapitolit.

Pjesëmarrësit thanë se zyrtarët e sigurisë ndërsa i orientonin të futeshin në ndërtesë, bërtisnin: “kjo nuk është një stërvitje”.

Katër zyrtarë të zbatimit të ligjit i thanë agjencisë së lajmeve “Associated Press” se bëhej fjalë për një zjarr që kishte shpërthyer disa blloqe më tej dhe se pjesëmarrësit në prova ishin evakuar për arsye sigurie.

Godina e Kongresit amerikan si dhe zona përreth tij janë bllokuar që pas sulmit të dhunshëm të 6 janarit.

Ndërkohë zyrtarët amerikanë të mbrojtjes thonë se janë të shqetësuar për një sulm të brendshëm apo kërcënime të tjera që mund të vijnë nga vetë punonjësit e shërbimit ushtarak, të përfshirë në garantimin e sigurisë gjatë inaugurimit të Presidentit të zgjedhur Joe Biden. Shqetësime këto që kanë bërë që FBI-ja të kryejë një proces shqyrtimi të të 25,000 trupave të Gardës Kombëtare që do të dislokohen në Uashington me rastin e inaugurimit.

Kjo sipërmarrje masive reflekton shqetësimet e jashtëzakonshme mbi sigurinë që kanë mbërthyer Uashingtonin pas sulmit të dhunshëm të 6 janarit në Kapitol nga protestues pro presidentit Trump. Ajo nënvizon frikën se disa nga vetë njerëzit e caktuar për të mbrojtur qytetin gjatë ditëve të ardhshme mund të paraqesin një kërcënim për presidentin e ardhshëm dhe personalitet e tjera të pranishëm.

Sekretari për Ushtrinë Ryan McCarthy i tha “Associated Press” të dielën se zyrtarët janë të vetëdijshëm për kërcënimin e mundshëm dhe ai paralajmëroi komandantët e ushtrisë që të mbajnë nën vëzhgim situatën për identifikimin e çdo problemi brenda radhëve të tyre, ndërsa inaugurimi afrohet. Megjithatë deri më tani zoti McCarthy dhe udhëheqësit e tjerë ushtarakë thonë se nuk kanë gjetur ndonjë provë për ndonjë kërcënim dhe se procesi i shqyrtimit nuk ka dhënë ndonjë sinjal në këtë drejtim.

“Ne po vazhdojmë me procesin dhe po i shqyrtojmë për herë të dytë e të tretë, secilin prej personave të caktuar në këtë operacion”, tha zoti McCarthy në një intervistë pasi ai dhe udhëheqësit e tjerë ushtarakë kryen një stërvitje të plotë, tre-orëshe mbi sigurisë në përgatitje për inaugurimin e së mërkurës. Ai tha se anëtarët e Gardës po trajnohen gjithashtu se si të identifikojnë kërcënimet e mundshme të brendshme.

Rreth 25,000 anëtarë të Gardës Kombëtare do të dislokohen këtë herë në Uashington ose rreth dy herë e gjysmë më shumë se numri i trupave të dislokuar në inaugurimet e mëparshme. Ndërsa ushtria rishikon rregullisht anëtarët e shërbimit për lidhje me ekstremistët, shqyrtimi nga ana e FBI-se është një proces shtesë mbi çdo shqyrtim të kryer më parë.

Zyrtarë të shumtë thonë se procesi nisi kur trupat e para të Gardës filluan të dislokohen në Uashington, më shumë se një javë më parë. Sipas tyre shqyrtimi është planifikuar të përfundojë deri të mërkurën. Disa zyrtarë diskutuan rreth çështjeve të lidhuara me planifikimin ushtarak në kushte anonimiteti.

“Pyetja që ngrihet është: a janë të gjithë? A ka të tjerë? ”, thotë zoti McCarthy. “Ne duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë dhe duhet të vendosim në funksion të gjithë mekanizmat për të kontrolluar plotësisht këta burra e gra, që do të mbështesin një operacion si ky”.

Në një situatë si kjo, shqyrtimi i FBI-së do të përfshinte kontrollimin e emrave të njerëzve përmes bazës së të dhënave dhe listave të mbikëqyrjes në dispozicion të byrosë, për të parë nëse rezulton diçka alarmante. Kjo mund të përfshinte hetime paraprake ose shqetësime të lidhura me terrorizmin, thotë David Gomez, një ish-ekspert për çështje të sigurisë kombëtare në FBI me bazë në Siatëll.

Kërcënimet e brendshme kanë qenë një përparësi e vazhdueshme e strukturave të zbatimit të ligjit pas sulmeve të 11 shtatorit 2001. Por në shumicën e rasteve mendohet se kërcënimet vijnë nga persona të radikalizuar nga al-Kaida brenda SHBA-së, grupi i Shtetit Islamik ose grupe të ngjashme. Në ndryshim këtë herë, kërcënimet kundër inaugurimit të zotit Biden janë nxitur nga mbështetës të Presidentit Donald Trump, militantë të ekstremit të djathtë, supremacistë të bardhë dhe grupe të tjera radikale. Shumë besojnë akuzat e pabazuara në fakte të zotit Trump, se zgjedhjet u vodhën, një pretendim ky që është hedhur poshtë nga shumë gjykata, Departamenti i Drejtësisë si dhe zyrtarë republikanë në shtetet kyçe të fushë-betejës.

Sulmi i dhunshëm në Kapitol nisi pasi Presidenti Trump bëri disa komente nxitëse në tubimin e 6 janarit. Sipas zotit McCarthy, në tubim merrnin pjesë anëtarë të shërbimit aktiv të ushtrisë, por nuk është i qartë numri i tyre ose se kush morri pjesë në futjen me dhunë në Kapitol. Deri më tani vetëm disa anëtarë të shërbimit aktiv ose të Gardës Kombëtare janë arrestuar në lidhje me sulmin në Kapitol, i cili la pas pesë të vdekur, mes tyre një oficer të Policisë së Kapitolit dhe një grua që u qëllua nga policia ndërsa përpiqej të hynte brenda Dhomës së Përfaqësuesve.

Gjenerali Daniel R. Hokanson, shefi i Byrosë së Gardës Kombëtare, ka zhvilluar takime me trupat e Gardës ndërsa ata po dislokohen në Uashington. Ai tha se beson se po zhvillohen procedurat e duhura për të identifikuar kërcënimet e mundshme.

“Nëse ka ndonjë tregues se ndonjë nga ushtarët ose pilotët tanë po shprehin pikëpamje ekstremiste, ata ose i dorëzohet strukturave të zbatimit të ligjit ose çështja merret në shqyrtim menjëherë nga zinxhiri i komandës”, tha ai.’/VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!