Shpëtim Idrizi: Çamëria dhe Kosova e bëjnë Shqipërinë të qenësishme

schedule10:37 - 18 Janar, 2021

schedule 10:37 - 18 Janar, 2021

Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi në fjalën e tij gjatë aktivitetit “Java Çame” kushtuar 30 vjetorit të themelimit të Shoqatës Patriotike Çamëria tha se fitorja më e madhe është faktorizimi i Çështjes Çame.

Ai u shpreh se PDIU do ta çojë përpara Çështjen Çame, ndërsa shtoi se kjo forcë politike do të jetë bashkëkrijuese e shumicës dhe qeverisë së nesërme.

“Sot, na gjeni në politikë, teksa mundohen të na zhdukin dhe ne prapë çohemi. Na gjeni tek librat e shkollës, ku na heqin madje emrin “çam” dhe “Çamëri” dhe ne prapë çohemi.

Na gjeni tek zgjedhjet, kur na vjedhin dhe ne prapë çohemi. Na gjeni, kur na vrasin dhe rivrasin me paktet e errëta për të shitur atdheun dhe ne prapë çohemi…. derisa të gjejmë zgjidhje dhe prehje vetëm në tokën tonë. Jemi të fortë e besimplotë që sërish në Kuvendin e Shqipërisë do të kemi grupin tonë parlamentar, zërin tonë.

U përballëm me pushtetin që donte të na fshinte emrin. Por PDIU është lëvizje kombëtare, që do të çojë para Çështjen Shqiptare Çame, do të jemi bashkëkrijues të shumicës dhe qeverisë së nesërme”, përfundoi ai.

Më tej ai theksoi se në vitet ’90 shpreheshin se Kosova ishte çështje e vdekur dhe të njëjtën gjë përsërisin sot për Çamërinë. “Çamëria dhe Kosova e bëjnë Shqipërinë të qenësishme, e bëjnë shtet dhe komb që je i detyruar ta llogarisësh. Copëtimi e mban Shqipërinë të varfër, vasale, të padinjitetshme”, deklaroi Idrizi.

Në aktivitetin e organizuar përcollën mesazhe edhe personalitete të spikatur që kanë ndihmuar ndërkombëtarizimin e Çështjes Çame si ish-Presidenti i Asamblesë së OSBE-së, Ricardo Migliori, kreu i Federatës Panshqiptare Vatra, Ahmet Xhafo, kreu i Organizatës “Rrënjët Shqiptare”, Marko Kepi, shkrimtari i mirënjohur, Kim Mehmeti, dhe shumë të tjerë.

 

 

 

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!