Franck Kessie është kthyer në liderin e mesfushës së Milanit. Potencë fizike, aktiv në të dy fazat e lojës dhe një urë lidhëse mes reparteve. 24-vjeçari nga Bregu i Fildishtë numëron edhe 6 gola të realizuar në Serie A këtë sezon.
Ekipi i Piolit kryeson kampionatin italian dhe po zhvillon një kampionat fantastik. Edhe pse shumë njerëz nuk besojnë se “djalli” do ia dalë të fitojë titullin, Kessie nuk e ka aspak problem një gjë të tillë, përkundrazi.
“Shumë njerëz nuk besojnë se mund të fitojmë titullin. Nuk arrij ta shpjegoj dot këtë perceptim, por thjesht i falënderojmë ata që mendojmë kështu. Ata thjesht na motivojnë më shumë, janë vitaminat tona.
Do të ishte një gjë e bukur të kishim tifozët e pranishëm në stadium, sidomos në duelet shtëpiake. Ata do të na jepnin një shtysë fantastike, me shumë mundësi do të kishim rezultate më të mira se këto që kemi arritur.
Ne kemi një moto, trajneri Pioli na e përsërit çdo ditë: duhet të mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës. Tani na pret Cagliari, pjesa tjetër nuk ka rëndësi. Ama, nuk duhet të harrojmë një gjë: ne jemi Milani dhe historia jonë flet vetë.
Sekreti i penalltive? Kam nisur t’i gjuaj me kombëtaret e moshave të Bregut të Fildishtë, kështu që jam mësuar. Nuk kam frikë se mos gaboj, nuk ndjej fare presion kur më duhet të gjuaj dhe shënoj nga pika e bardhë“, thekson mesfushori i Milanit. /abcnews.al