Krasniqi: Diferenca me Vllazninë rikuperohet, duhet të jemi të ftohtë para porte

schedule16:46 - 14 Janar, 2021

schedule 16:46 - 14 Janar, 2021

Blerim Krasniqi, sulmuesi i Teutës, ka dalë në konferencë për shtyp para ndeshjes me Bylisin dhe fillimisht ka folur për disfatën e pësuar në Shkodër me Vllazninë. “Besoj se ne dhamë maksimumin në Shkodër, pavarësisht se nuk ishte dita jonë më e mirë. Ndoshta duhej vlerësuar më shumë ndeshja. Ne dhamë maksimumin, pavarësisht humbjes”, u shpreh fillimisht sulmuesi.

I pyetur nëse presioni e lejon të japë më të mirën, Krasniqi shton: “Nuk mendoj që presioni është i madh, pasi në ndeshjet e fundit kemi shënuar edhe gola. Besoj se do i vijë momenti jonë e të çlirohemi nga ky ngërç dhe të ecim përpara”. Sulmuesit më pas i përmenden rastet e humbura.

“Normalisht më vjen keq për to. Një sulmues matet me gola. Çdo sulmues e vuan atë pjesën e golit. Normalisht duhen vlerësuar të gjitha rastet, jo vetëm unë, dhe të tregohemi të ftohtë para portës. Sa gola do shënoj nuk mund ta them. Çdo sulmues do të shënojë sa më shumë”, shton futbollisti i kavajasve.

Në fund ai foli për sfidën me Bylisin dhe diferencën me Vllazninë: “Ndeshja me Bylisin vlen si të tjerat, duam tre pikët. Futemi në fushë vetëm për fitore. Duam të marrim maksimumin nga kjo ndeshje. Diferenca me Vllazninë? Nëntë pikë nuk janë shumë, por nuk janë as pak. Ka ndeshje plot, ka shumë pikë në lojë, kemi edhe dy ndeshje direkte me Vllazninë. Besoj se ka kohë akoma për të rikuperuar”. /abcnews.al