Organizatat ndërkombëtare apel Bosnjës, siguroni strehim emigrantëve

schedule09:57 - 12 Janar, 2021

schedule 09:57 - 12 Janar, 2021

Katër organizata të të drejtave të njeriut bënë thirrje për mbështetjen e menjëhershme të afro 2,500 refugjatëve, emigrantëve dhe azilkërkuesve, të cilët mbeten pa strehë dhe në kushte të vështira dimri në Bosnje e Hercegovinë.

Në një deklaratë të lëshuar të martën, Amnesty International, Jesuit Refugee Service Europe, Medecins du Monde Belgique dhe Refugee Rights Europe thanë se autoritetet e Bosnjes nuk kanë arritur të sigurojnë strehim të duhur për migrantët dhe azilkërkuesit, ndërsa Bashkimi Evropian ka shpenzuar dhjetëra miliona euro ndihma.

Organizatat thanë se në veriperëndim të Bosnjes, rreth 900 njerëz janë duke fjetur nën qiell të hapur, në kampin e improvizuar Lipa, për më shumë se tri javë.

Kampi i tendave u ngrit vitin e kaluar si një strehim i përkohshëm gjatë pandemisë së koronavirusit dhe u mbyll më 23 dhjetor.

Një zjarr që shpërtheu gjatë evakuimit të banorëve, shkatërroi pjesën më të madhe të kampit.

“Për shkak të paaftësisë së politikanëve të të gjitha niveleve të qeverisjes për të arritur marrëveshje, përpjekjet për t’i zhvendosur banorët e Lipës në qendrat e gatshme për dimër, diku tjetër në [Bosnje], kanë dështuar”, thuhet në deklaratën e katër organizatave të të drejtave të njeriut.

Sipas deklaratës, njëzet çadra me ngrohje u instaluan në kamp gjatë fundjavës së kaluar, por më shumë se 350 njerëz mbeten në strehimore të improvizuara, pa qasje në ujë të rrjedhshëm, kanalizim ose ngrohje.

Shumica e atyre në kamp janë nga Pakistani dhe Afganistani.

Agjencitë e BE-së kanë dhënë mbi 88 milionë euro ndihmë për Bosnjen gjatë tre vjetëve të kaluar, për t’i adresuar nevojat e menjëhershme të refugjatëve, azilkërkuesve dhe emigrantëve, si dhe për t’i forcuar kapacitetet e menaxhimit.

Pavarësisht kësaj, Bosnja “nuk ka arritur të marrë përgjegjësinë e plotë për menaxhimin e objekteve ekzistuese ose të sigurojë mbështetje minimale për ata që janë të bllokuar në vend”, tha Amnesty International në një deklaratë të veçantë./REL