Opozita kosovare nuk është e bashkuar në idenë për të zëvendësuar presidentin Thaçi në drejtimin e dialogut më Serbinë, i cili në shtator hyn në fazën e tij përfundimtare. Ndërkohë Partisë Socialdemokrate i duhet të mbledhë firmat e 40 deputetëve për të thirrur një seancë të jashëtzakonshme për këtë temë
Kërkesa e Partisë Socialdemokrate të Kosovës për seancë të jashtëzakonshme, për të debatuar për dialogun me Serbinë, është refuzuar nga kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, me arsyetimin se Kuvendi ka nisur pushimet. Shpresa e vetme për PSD-në mbetet mbledhja e 40 firmave të deputetëve, përfshi dhe ata nga partitë e opozitës.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate, Dardan Sejdiu tha për Radion Evropa e Lirë se tashmë i kanë dërguar një kërkesë Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje për të nënshkruar këtë iniciativë.
Sipas tij, të gjitha partitë opozitare duhet të jenë bashkë për të ndaluar presidentin Hashim Thaçi.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu tha se kjo parti nuk do të mbështesë ish deputetët e saj për këtë seancë të jashtëzakonshme. Sipas saj, PSD-ja duhet të ketë qasje më serioze.
Ndërkohë, opozita vazhdon të mos jetë e bashkuar në qëndrimet e saj në lidhje me këtë rezolutë, por emëruesi i përbashkët ishte kërkesa që Kuvendi të mandatojë një ekip përfaqësues në bisedimet me Serbinë, duke ia mohuar rolin drejtues në këtë proces presidentit Hashim Thaçi.
Ky i fundit, i ka ftuar të gjithë të jenë pjesë e dialogut por nuk ka dhënë asnjë sinjal se është i gatshëm të tërhiqet nga roli drejtues. /abcnews.al