62% e shqiptarëve vlerësojnë pozitivisht situatën financiare

schedule15:04 - 7 Gusht, 2018

schedule 15:04 - 7 Gusht, 2018

Një ditë pasi Partia Demokratike, përmes deputetes Grida Duma, komentoi të dhënat e Eurobarometrit 2018, Ministria e Financave publikoi këto të dhëna. Sipas sondazhit të Komisionit Europian, rreth 62% e shqiptarëve vlerësojnë pozitivisht situatën financiare të familjes së tyre.

Si e vlerësoni situatën financiare të familjes suaj?

Kjo pyetje e Eurobarometrit  të këtij viti i është drejtuar 1 mijë e 48 qytetarëve në vendin tonë.

Rreth 62%  e të intervistuarve i janë përgjigjur pozitivisht.

Mendim të tillë në vitin 2014 kur sonadazhi i Komisionit Europian është zhvilluar për herë të parë në Shqipëri kanë ndarë rreth 53% e qytetarëve.

Sa i takon situatës personale të punësimit, mendim pozitiv kanë ndarë 57% e të intervistuarve.

Ndjesitë për gjendjen ekonomike kanë ardhur në përmirësim gradual. Ata që shprehen se situata ekonomike e vendit është “shumë e keqe” është ulur në 7.44% në sondazhin e fundit nga 35.5 % që ishin në të parin.

Ndërsa ata që e konsiderojnë gjendjen e ekonomisë si “pozitive” ka kaluar nga 27.6% në 48.8%.

Ndërkohë 50% e të intervistuarve në Shqipëri shpresojnë se punësimi do të përmirësohet përgjatë vitit të ardhshëm.

Një ditë më parë deputetja e Partisë Demokratike Grida Duma deklaroi se shqiptarët në gjendje të keqe ekonomike nga viti 2017 në vitin 2018 janë shtuar me 245 mijë persona. Ndër shkaktarët e kësaj situate deputetja e opozitës renditi rënien ekonomike, papunësinë dhe korrupsionin. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!