Helmimi në dasma, AKU bllokon lokalin e njohur në Elbasan

schedule13:56 - 7 Gusht, 2018

schedule 13:56 - 7 Gusht, 2018

Gjendja e të helmuarve nga dasmat në të njëjtin lokal në Elbasan ka ardhur në përmirësim. Por AKU vuri shiritin e bllokimit për shkak se brenda ambjenteve zbuloi mungesë të higjienes dhe produkte të mishit të bulmetit pa etiketë.

Lokali ku u helmuan më shumë se 40 dasmorë u mbyll nga AKU. Siç edhe shikoni nga pamjet “Laguna Blu” në Elbasan konsiderohet nga lokalet më me emër e për dasma thirreshin këngëtarët më në zë të vendit. Por pas kontrollit aty u zbulua ana e errët e tij.

Sipas AKU kishte mungesë të rëndë të kushteve higjieno-sanitare si dhe mungesë të dokumentacionit shoqërues.

Në momentin e inspektimit në subjekt, ndodheshin mish, vezë, djath në sasira të mëdha pa etiketë.

Për produktet e gjendura në subjekt u realizua marrja e mostrave me qëllim kryerjen e analizave për prezencë të Salmonelës.

Të helmuarit nga ushqimi kanë qenë pjesë në dasma të ndryshme, të shtunën drekë, darkë si dhe të dielën në darkë nga i njëjti lokal.

Pronari i tij Manol Musaj u gjobit edhe me 7 milionë lekë të vjetra, kurse ambjentet e lokalit do të mbahen mbyllur deri në rezultatin përfundimtar të analizave.

Nëndrejtori i Qendrës Spitalore “Xhaferr Kongoli”, Elbasan Luan Rrapi: “Gjithësej janë të shtruar 31 raste të rritur, dy fëmijë në pediatri, 3 raste në gjendje të mesme që u dërguan në Tiranë në QSUT, te shërbimi infektiv dhe 8 raste nga këto 4 fëmijë dhe 4 të rritur kanë marrë mjekim ambulator.

Gjendja e përgjithshme e të sëmurëve është e kënaqshme, nuk shohim ndonjë rast të rënduar nga momenti i shtrimit.

Të gjithëve iu janë marrë analizat dhe korpokultura që del pas 2-3 ditëve që do të na japë një të dhënë se kush është shkaku”.

Në spital njerëzit nisën të kërkonin ndihmë që natën e së dielës. Shumë prej tyre kishin të vjella dhe dhimbje të forta barku. /abcnews.al