“S’dua të jem ‘mbreti’ i golave, gjërat kanë shkuar mirë”, Sasraku flet për mediet ganeze

schedule11:16 - 9 Janar, 2021

schedule 11:16 - 9 Janar, 2021

Në merkaton e verës Tirana u përqendrua në afrimin e disa lojtarëve ganezë, që pritej të bënin diferencën, por në fakt deri më tani ata nuk janë në nivelin e reklamuar nga bardheblutë para se të vinin.

Derrick Sasraku pritej të udhëhiqte sulmin e bardhebluve, por deri më tani ai nuk ka mundur të bëjë këtë, me gjithë përpjekjet në difensivë në ndihmë të ekipit. 26-vjeçari ka shënuar vetëm 1 gol deri më tani në 9 ndeshje në Superiore.

Gjithsesi, në një intervistë për mediet ganeze sulmuesi është i kënaqur me eksperiencën e deritanishme te kampionët në fuqi. Sasraku shprehet se qëllimi kryesor është të ndihmojë Tiranën të ngjitet sa më lart në tabelën e renditjes dhe jo të jetë golashënuesi më i mirë.

“Falë Zotit gjërat po shkojnë mirë për mua si lojtar dhe pres të shënoj më shumë gola për të ndihmuar klubin e Tiranës. Tani për tani qëllimi im nuk është të jem ‘mbreti’ i golave, por më teopër të ndihmoj ekipin të arrijë më lart në renditje”, shprehet Sasraku. /abcnews.al