Hyrja e dhunshme e mbështetësve të presidentit Donald Trump në ndërtesën e Kongresit të mërkurën, ka nxitur zëra të disa ligjvënësve për ta larguar atë nga zyra para se presidenti i zgjedhur, Joe Biden, të bëjë betimin më 20 janar.
Skenat kaotike në Kongres u zhvilluan pasi republikani Trump, i cili po refuzon që të angazhohet në proces paqësor të transferimit të pushtetit, iu drejtua mijëra protestuesve duke përsëritur pretendimet e pabazuara se atij i janë vjedhur zgjedhjet.
Sipas Reutersit, janë dy mënyra se si mund të largohet një president nga zyra: Amendamenti 25 i Kushtetutës së SHBA-së dhe procesi gjyqësor i Kongresit, i njohur si Impeachment, që duhet të rezultojë me dënim nga ana e Senatit. Në të dy skenarët, nënpresidenti Mike Pence do ta merrte detyrën deri në inaugurimin e presidentit Biden.
Një burim i afërt me këto përpjekje, ka thënë se ka pasur disa diskutime paraprake ndërmjet disa anëtarëve të kabinetit dhe aleatëve të presidentit Trump për të aktivizuar Amendamentin 25.
Cili është qëllimi i Amendamentit 25?
Amendamenti 25, i ratifikuar më 1967 dhe i miratuar pas vrasjes së presidentit John F. Kennedy në vitin 1963, ka të bëjë me zëvendësimin e postit të presidentit dhe paaftësinë për të kryer detyrën.
Neni 4 e adreson situatën ku presidenti është i paaftë për të kryer detyrën por nuk jep dorëheqje vullnetarisht.
Përpiluesit e Amendamenti 25, duket qartë se e kishin dizajnuar që ky nen të zbatohet kur një President bëhet i paaftë, për shkak të ndonjë sëmundje fizike apo mendore, thonë ekspertët. Disa shkollarë thonë se ky nen mund të zbatohet më gjerësisht për një president, i cili është i rrezikshëm dhe i papërshtatshëm për zyrën presidenciale.
Për aktivizimin e Amendamentit 25, Pence dhe shumica e kabinetit të presidentit Trump do të duhet të deklarojnë se Trump është i paaftë që të ushtrojë detyrat e Presidencës dhe ta largojnë atë. Në këtë rast, Pence do ta merrte detyrën e presidentit.
Trump, më pas, mund të deklarojë se ai është i aftë që të vazhdojë punën. Nëse Pence dhe shumica nuk e kundërshtojnë përcaktimin e Trumpit, atëherë ai e rimerr pushtetin. Nëse ata e kundërshtojnë deklaratën e Trumpit, atëherë kjo çështje do të vendosej nga Kongresi, por Pence do të vazhdonte të ishte president në detyrë deri atëherë.
Për ta larguar Trumpin, do të duhet që të dy dhomat e Kongresit ta miratojnë atë me 2/3 e votave. Por, Dhoma e Përfaqësuesve që kontrollohet nga Demokratët do të mundte thjesht ta vononte votimin për këtë çështje, derisa të përfundojë mandati i Trumpit, tha Paul Campos, profesor i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin e Kolorados.
Campos tha se Amendamenti 25 do të ishte mënyra e duhur për ta larguar presidentin Trump nga zyra pasi është procedurë shumë më e shpejtë sesa procesi i ‘Impeachment’.
“Pence do të bëhej menjëherë president, ndërsa procesi ‘Impeachment’ dhe dënimi do të merrte të paktën disa ditë”, tha Campos.
A mundet Trump të gjykohet nga kongresi dhe të largohet?
Po.
Një koncept i gabuar për procesin gjyqësor në Kongres ndaj presidentit që njihet si ‘Impeachment’ është se i referohet thjesht largimit të presidentit nga zyra. Në fakt, ky proces i referohet vetëm Dhomës së Përfaqësuesve, që është dhoma e ulët e Kongresit, që mund të ngritë akuzat se presidenti është përfshirë në “krim të lartë ose kundërvajtje”- ngjashëm me një aktakuzë në një rast kriminal.
Nëse një shumicë e thjeshtë e Dhomës së Përfaqësuesve, që ka 435 anëtarë e miraton ngritjen e aktakuzës, i njohur si ‘nenet e impeachment-it”, procesi atëherë zhvendoset në Senat, në dhomën e lartë të Kongresit, i cili mban proces gjyqësor për të përcaktuar fajin e presidentit. Kushtetuta kërkon 2/3 e votave në Senat për dënimin dhe largimin e presidentit nga detyra.
Trump ka kaluar nëpër këtë proces gjyqësor, me iniciativën e Demokratëve në vitin 2019 në akuzat për abuzim të pushtetit dhe pengimin e Kongresit, si rezultat i përpjekjeve të tij për t’i bërë presion Ukrainës për të hetuar Joe Biden dhe djalin e tij. Trump ishte shpallur i pafajshëm nga Senati që kontrollohej nga Republikanët në shkurt të vitit 2020.
Për çfarë ‘krimi të lartë dhe kundërvajtje’ mund të akuzohet Trump?
Frank Bowman, profesor i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin e Misurit, tha se Trump ‘ pa diskutim nxiti kryengritje”, ose përpjekje për grushtshtet.
Por, Bowman tha se Trump mund të gjykohet nga Kongresi edhe për një vepër më të përgjithshme: mungesë lojaliteti ndaj Kushtetutës së SHBA-së dhe dështim për të zbatuar betimin e tij kur mori zyrën e presidentit.
Kongresi e ka diskrecionin në definimin e ‘krimit të lartë dhe kundërvajtjes’ dhe nuk është i kufizuar vetëm me veprat kriminale.
“Vepra më e rëndë dhe kryesore do të ishte ajo kundër Kushtetutës – një nga përpjekjet thelbësore për të minuar rezultatet e ligjshme të zgjedhjeve, të cilat janë zhvilluar në mënyrë të ligjshme”, tha Bowman./REL